Si “Harry Fultz” ndryshoi qëndrim/ Në janar “harroi” të thoshte të vërtetën që pranon sot

schedule19:33 - 25 Prill, 2023

schedule 19:33 - 25 Prill, 2023

TIRANË- Nuk është hera e parë që një zyrtar apo politikan akuzohet për mangësi në arsimim, diploma të blera apo grada të fituara me plagjiaturë. Por kur politika ndeshet me akuza, është detyra e medias të verifikojë faktet dhe këtë e bën përmes të dhënave zyrtare të institucioneve.

Në muajin janar, menjëherë sapo Evi Kokalari, një prej pjesëtareve të rithemelimit të Berishës, e akuzoi Belind Këlliçin se nuk kishte diplomë gjimnazi dhe kishte mashtruar universitetin amerikan, Redaksia jonë ju drejtua me një kërkesë për informacion institutit Harry Fultz, duke e pyetur:

  1. A është diplomuar z. Belind Zamir Këlliçi pranë shkollës suaj?
  2. A qëndrojnë akuzat se ai ka marrë vetëm një vërtetim për përfundimin e studimeve po nuk ka një diplomë?
  3. Nëse ka një diplomë, çfarë numri dhe datë mban ajo?

Instituti iu përgjigj redaksisë sonë në 16 janar, duke iu shmangur përgjigjeve të drejtëpërdrejta mbi ekzistencën ose jo të një diplome.

“Harry Fultz” i tha ABC-së se Këlliçi i kishte përfunduar studimet, dhe në fund të klasës së 12-të dokumentet i ishin ekuivalentuar për studime të mëtejshme në SHBA.

Instituti që nuk harron të theksojë se sa nxënës i dalluar kishte qenë Këlliçi, nuk tregon në përgjigjen për ABC News se  studenti i tyre nuk ishte diplomuar, si dhe fsheh faktin se studimet e plota pranë “Harry Fultz”, nuk janë 4 vjet, por 5.

Në fakt për të njëjtën çështje, shkolla nuk ngurroi të informonte në mënyrë më të plotë, Partinë Socialiste.

Në përgjigje të kërkesës së firmosur nga përfaqësuesi ligjor i PS, “Harry Fultz”, ekzpozon një element në dukje të vogël, por thelbësor. Atë se Këlliçi nuk ka kryer vitin e 5-të dhe të fundit të studimeve.

Kjo nënkupton se ai nuk ka një diplomë, ndaj Instituti ose nuk ka pasur guximin ose përgjegjësinë publike dhe ligjore ta pohojë këtë, kur ABC News e pyet nëse ky student ka apo jo një diplomë.

Pyetja që ngrihet në këtë rast, përtej Belind Këlliçit është: sa ligjshmëri, përgjegjësi, profesionalizëm dhe standard ka në këto shkolla që arsimojnë fëmijët?

Kur transparenca mungon edhe në raste me ndjeshmëri publike, çfarë ndodh në episode që janë larg vëmendjes?

Sot, kur vetë kandidati e ka pranuar se nuk ka diplomë, pohimi me vonesë i shkollës “Harry Fultz”, ndan në mos pergjegjësine ligjore, atë morale me mashtrimin e radhës po me siguri jo të fundit të politikës ndaj publikut shqiptar/n.m.abcnews.al