Si e shikon Durrësin me sytë e tu? Sako: I transformuar, nuk jam e kënaqur nga puna ime, por nuk kam menduar asnjëherë të largohem

schedule08:49 - 22 Prill, 2023

schedule 08:49 - 22 Prill, 2023

Kryetarja aktuale e Bashkisë së Durrësit dhe njëherazi kandidate e PS për një mandat tjetër në zgjedhjet e “14 Majit”, Emirjana Sako ka qenë e ftuara në Podcastin e tretë të kryeministrit Rama.

Pasi foli për jetën e saj, biseda u fokusa tek qyteti i Durrësit dhe puna e saj. Sako tha se Durrësi gjatë  20 viteve të fundit ka pësuar transformim është bërë më modern dhe i pastër.

Kryebashkiakja shton se ajo nuk është e kënaqur me punën e saj, pasi ka ende vend për të përmirësuar dhe për të bërë më shumë.

E pyetur nga Rama nëse është mërzitur ndonjëherë nga kjo punë, Sako përgjigjet prerazi, “asnjëherë”.

Pjesë nga intervista:

Kryeministri Edi Rama: Për të ardhur tek Durrësi sot, si e shikon ti me sytë e tu? Unë kam qenë kryetar bashkie dhe unë e di që të jesh kryetar bashkie dhe ta bësh punën me përkushtim kthehet në njëfarë mënyrë në një sëmundje për të jetuar në mënyrë kaq intensive me detaje të caktuara sa nuk të lëshon më. Për shembull, unë edhe sot, jo vetëm në Shqipëri, por dhe jashtë e kam instiktive që shoh kazanët, koshat, bordurat, pluhurin, ato tabelat e lokaleve, padiskutim pastaj pjesën e urbanistikës dhe arkitekturës që e kam pasur pasion, por flas për këto aspektet e shërbimeve të përditshme. Si e shikon sot, në këtë aspekt, Durrësin midis asaj që ishte, midis asaj që është dhe asaj që ti mendon se duhet të jetë?

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako: Durrësi ka pësuar një transformim të vazhdueshëm në këtë 20 vjeçar, është një qytet, i cili është bërë më modern, më i hapur, ka një rritje të madhe të numrit të turistëve, shkon çdo vit në rritje dhe kjo patjetër ndikon tek shërbimet, tek cilësia e shërbimeve që jep sektori i biznesit, por unë gjatë punës time jam përpjekur të merrem me, ato punët e shtëpisë siç quhen; pra, pastrimi, ndriçimi dhe gjelbërimi, pra i kam dhënë një prioritet shumë të madh.

Sot, patjetër që Durrësi është një qytet më i pastër, këtë e thonë të gjithë banorët e tij. Nuk mund të them që jam e kënaqur nga puna; nga puna ka gjithmonë vend për t’u përmirësuar dhe për të bërë më shumë, por edhe me projektet madhore që ne kemi së bashku, mendojmë që do t’i japim një vend të ri të qytetit tonë, jo vetëm në rolin që ka në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar.

Kryeministri Edi Rama: Unë e besoj këtë, por le të mos kalojmë këtë pjesën që e kemi dhe kur na dëgjojnë të tjerët, të vazhdojmë të flasim e të bëjmë këtë muhabetin që nuk na dëgjon njeri këtu. Përtej këtyre gjërave që janë detyrat e mëdha dhe të përditshme, kur vjen puna tek një qytet si Durrësi, edhe pse është një qytet i madh relativisht në Shqipëri, është një qytet shumë i vogël ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe të drejtosh një qytet ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin siç ishte deri diku, jo plotësisht, Tirana, ku unë kam qenë kryetar bashkie, është pjesa më e vështirë e punës dhe është pjesa ku ndahet rruga midis një drejtuesi që e ka në vëmendje të përditshme, jo me fjalë, por me atë përkushtimin e vogël dhe ezaurues nga nervat ndaj individëve që i ndesh rrugës për 1001 halle dhe atij që nuk e ka dhe që i sheh të gjithë nga lart.

Ti i përket kategorisë së parë dhe kjo është, mendoj unë, forca më e madhe e jotja që nuk ia përton kësaj pjese. Pra ato sforcot fizike të trupit dhe të gjuhës, i kompenson me këtë sforcon tjetër të durimit të brendshëm e të përkushtimin për të dëgjuar njerëzit e për t’u qëndruar nga mbrapa njerëzve e kjo ndoshta është dhe ajo që të energjizon më shumë.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako: Është e vërtetë, kam shumë durim, jam karakterizuar gjithmonë, por në mënyrë të veçantë kjo është një punë që kërkon durim dhe kërkon t’i shkosh deri në fund gjërave, kërkon që pra unë mund të kem, t’i dëgjosh njerëzit me kujdes, pra unë mund të kemi 1000 probleme në kokë, ama kur dëgjoj një pensionist apo një qytetar, i cili kërkon banesë sociale, i ngri këto 1000 problemet e mia e të fokusohem tek problemi i tij. Plus përpiqem që të mos neglizhoj asnjë gjë nga kërkesat, nga gjërat që shoh, edhe kur takoj njerëz në rrugë që më thonë është prishur ai stoli atje, përpiqem që këtë gjë ta  mbaj shënim e ta ndjek personalisht deri sa të bëhet, pra unë përpiqem që edhe të flas me stafin, të komunikoj pra njësoj si në familje, pra ta shpjegoj këtë gjë që është shumë e rëndësishme, koherenca.

Kryeministri Edi Rama: Sa herë gjatë gjithë kësaj periudhe tre vjeçare, sa herë ke menduar që çfarë merrem me këtë punë, më mirë ta lë fare?

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako: Asnjëherë!

Kryeministri Edi Rama: Nuk e ke pasur kurrë këtë…

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako: Jo, asnjëherë!

Kryeministri Edi Rama: Në momentin që të ka ardhur në majë të hundës nga ndonjë situatë mbingarkese.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako: Ka pasur lodhje shumë domethënë. Unë e kam marrë detyrën në 23 prill të 2020 dhe e diela e parë që kam qëndruar paradite, pra që nuk kam shkuar në bashki fizikisht, ka qenë mbase gushti i 2021. Pra kjo ka qenë një kohë shumë intensive pune por unë e kam parë si një mundësi që…

Kryeministri Edi Rama: Po sa herë të ka thënë burri ca merresh me këtë punë, lëre fare.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako: I kam thënë që para se të thoja po, i kam thënë, po të pyes që mos më thuash pastaj pse s’na pyete, më le mua me kalamajtë apo i le kalamajtë rrugëve.  E kur më thotë kështu, i them që të pyeta.

Kryeministri Edi Rama: Po prindërit? Sa herë i gjen me çehre të vrarë, me ilaçe për t’u qetësuar nga çfarë dëgjojnë kur të sulmojnë.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako: Po, ime më më tepër domethënë se im atë është më indiferent si natyrë, më i ftohtë, por ajo është, edhe në zgjedhjet e marsit ishte, domethënë nuk guxoja të shkoja në shtëpi atje se fillonte me pyetjet, po ky tha kështu, po pse e tha ai atë?

Tani është më e preokupuar që të takojë njerëzit e të bëjë fushatë për mua.r.t/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!