Si e përdorin “ChatGPT” grupmoshat e ndryshme?

schedule08:29 - 16 Maj, 2025

schedule 08:29 - 16 Maj, 2025

Disa e shohin si mjet pune, të tjerë – si këshilltar jetësor. Drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, së fundmi ndau përshtypjet e tij mbi mënyrën se si gjenerata të ndryshme përdorin ChatGPT.

Ai foli për këtë në ngjarjen AI Ascent të mbajtur së fundmi në SHBA.

“Është një përgjithësim i përafërt, por, le të themi, njerëzit më të moshuar e përdorin ChatGPT si zëvendësues për Google-in,” tha Altman.

Ai vuri re se përdoruesit në të njëzetat dhe të tridhjetat shpesh e përjetojnë atë si një këshilltar për jetën, ndërsa studentët e përdorin si një sistem operativ, sipas Business Insider.

“Ata vërtet e përdorin si një sistem operativ. Kanë mënyra të ndërlikuara se si e konfigurojnë atë për t’u lidhur me dokumente të ndryshme dhe mbajnë mend në kokë apo diku tjetër pyetje komplekse që i përdorin rregullisht,” shpjegoi Altman.

Ky i fundit theksoi se disa studentë shkojnë aq larg, sa që përdorin ChatGPT për të marrë vendime të rëndësishme në jetë.

“Ka raste ku ata nuk marrin vendime jetësore pa e pyetur më parë ChatGPT-në se çfarë duhet të bëjnë. Ai ka kontekst të plotë për çdo person në jetën e tyre dhe për çfarë kanë biseduar,” tha ai.

OpenAI bëri të ditur në shkurt se studentët në SHBA e përdorin ChatGPT më shumë se çdo grup tjetër.

Një studim nga Pew Research Center, i publikuar në janar 2024, tregoi se 26 për qind e adoleshentëve amerikanë të moshës 13 deri në 17 vjeç e kishin përdorur ChatGPT për detyrat shkollore, krahasuar me 13 për qind në vitin 2023.

Altman gjithashtu tha se ChatGPT shkruan një pjesë të madhe të kodit të OpenAI-t, megjithëse nuk dha një përqindje të saktë.

Kjo do të thotë që edhe vetë inxhinierët e OpenAI e përdorin ChatGPT si një mjet ndihmës në programim, njësoj si shumë zhvillues të tjerë.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!