Si do të funksionojë Banka e Zhvillimit? Zbardhet drafti, do të mbështetet me fonde shtetërore

schedule14:11 - 27 Janar, 2025

schedule 14:11 - 27 Janar, 2025

Shteti do të jetë aksioneri kryesor i Bankës Shqiptare të Zhvillimit me mbi 51 % të aksioneve. Qeveria ka hedhur për konsultim projektligjin me detajet dhe mënyrën e funksionimit të këtij intitucioni financiar.

Përcaktohet se kapitali fillestar i Bankës Shqiptare për Zhvillim do të jetë 10 miliardë lekë, i kontribuar nga shteti shqiptar dhe i shlyer brenda një afati 4 vjeçar. Po ashtu, BZH do të ketë të drejtë të hapë llogari bankare në Bankën e Shqipërisë, në Thesarin e Shtetit, si dhe në banka tregtare vendase ose ndërkombëtare.

Në draft përcaktohet se Banka Shqiptare për Zhvillim mund të mbledhë fonde përmes mekanizmave të ndryshëm, duke përfshirë pranimin e fondeve të kthyeshme nga publiku dhe instrumente të tjera financiare.

Institucioni do të ketë të drejtë të krijojë degë dhe shoqëri bija brenda dhe jashtë vendit. Aktivitetet kryesore që do të realizojë banka do të jenë dhënia e kredive, ofrimin i garancive, investimet financiare dhe zhvillimin e shërbimeve digjitale.

Banka Shqiptare për Zhvillim synon të fuqizojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe startup-et, duke ofruar financim dhe, sipas rastit mbështetje teknike, për të ndihmuar këto biznese të përmirësojnë produktivitetin, të rrisin konkurrueshmërinë dhe të zgjerojnë prezencën e tyre në tregjet ndërkombëtare.

Po ashtu një tjetër synim është promovimi i Eksporteve shqiptare duke inkurajuar prodhimin dhe shërbimet që mund të konkurrojnë me sukses në tregjet jashtë vendit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!