Mbi 3 orë debat, kryesia e Alibeaj ende pa vendim për zgjedhjet e 14 majit. Mblidhet nesër Kolegji i Kryetarëve

schedule15:50 - 24 Mars, 2023

schedule 15:50 - 24 Mars, 2023

TIRANË- Teksa ditët ecin, afati për të dorëzuar listën e kandidatëve në KQZ , për zgjedhjet lokale, sa vjen e ngushtohet dhe për këtë partitë po bëjnë llogaritë e fundit. Por në PD situata është  e ndërlikuar dhe tepër e paqartë.

Kryetari i saj, Enkelejd Alibeaj dhe një pjesë e anëtarëve që e mbështesin, në mbledhjen e kryesisë që zgjati mbi 3 orë, shpalosën mendimin se më 14 maj duhet të garojnë jo vetëm për kryetar, por dhe me listë këshilltarësh në 61 bashkitë e vendit.

Por, kjo ide duket se nuk mbështet nga anëtarët e tjerë të kryesisë, konkretisht nga Jorida Tabaku dhe Dhurata Çupi, të cilat besojnë se PD-ja duhet të ketë një kandidat të përbashkët.

Sipas tyre, dalja me kandidatë të ndryshëm nuk do bënte gjë tjetër, por thjesht do ta zvogëlonte më tej Partinë Demokratike. Gazetarja e Abc News, Erneta Shevroja ka siguruar një pjesë nga fjala e tyre gjatë mbledhjes së kryesisë së partisë.

“Kam ndarë të njëjtin qëndrim që kisha në shtator, opozita duhet të dalë me kandidatë unikë! Nuk duhet në asnjë mënyrë qe ne të bëjmë betejë kundër nesh, ne kemi një kundërshtar kemi qeverinë dhe asnjë arsye dhe asnjë justifikim të jemi ne ata që përçajnë votën e opozitës”, tha Tabaku.

“Së pari, ne duhet të mbajmë strukturat unike dhe fakti që kemi mendim po thuajse gjysmë për gjysmë, kemi rrezikun që të ndahemi edhe një herë e mund të zvogëlohemi përsëri. Kjo është përgjegjësi direkt juaja, Enkelejd dhe Gazment. Ju duhet të jeni përbashkues”, theksoi Çupi.

Po ashtu ka dhe një linjë tjetër që mendojnë, që PD zyrtare të shkojë në zgjedhje vetëm me lista për këshillat bashkiakë dhe kjo mbështetet edhe nga vetë Gazment Bardhi. Ditën e nesërme pritet të mblidhet Kolegji i Kryetarëve/n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!