Nuk është se bëri ndonjë prapakthehu.
Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç u pyet përsëri nga gazetarët e vendit të tij, tashmë në prag të ndeshjes në Leskovac ndaj Andorrës sërish për eliminatoret e Kupës së Botës.
Stojkoviç natyrisht që u vendos në linjë me komunikatën zyrtare të Federatës Serbe të Futbollit, duke dënuar ndërprerjen e ndeshjes, hedhjen e objekteve në fushë dhe thirrjeve nacionaliste, por sidoqoftë përsëriti fuqishëm vlerësimin për atmosferën sportive në “Arenën Air Albania”.
Fjalët e tij mund të cilësohen sipërore.
“Përsa i përket aspektit të futbollit, ai ishte një ambient i vërtetë si në Amerikën Latine. Të gjithë ata që ishin aty e kuptojnë atë. Ju nuk ishit atje, e ndoqët ndeshjen në televizor, dhe tani më pyesni sesi është përshtypja ime. Gjithkush do të donte të ishte në një ambient të tillë. Ai nivel emocional dhe ai nivel përkrahjeje për kombëtaren e tyre ishin të pabesueshëm. Ndodhi për herë të parë, ndërsa e kam drejtuar kombëtaren tonë 51 herë, hera e parë ndodhi që nuk dëgjova dot himnin”.
Përballja në Tiranë përfundoi pa gola, ndërsa Shqipëria ishte më pranë fitores sepse pati në dispozicion penalltinë, që e humbi Rej Manaj në minutën e fundit të pjesës së parë.