“Shutdown”, Trump kundër demokratëve

schedule12:34 - 12 Janar, 2019

schedule 12:34 - 12 Janar, 2019

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të mbeten peng i “shutdown”në një kohë që as Presidenti amerikan, Donald Trump dhe as demokratët nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga qëndrimet e tyre.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës “Shutdown” ka bllokuar thuajse një të katërtën e agjencive federale që merren me sigurinë e brendshme, forcat e rendit dhe mbledhjen e taksave. Janë me mijëra nëpunësit publikë që kanë mbetur pa paga. Pas mosarritjes së marrëveshjes mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe opozitës demokrate për sa i përket financimeve të kërkuara nga Shtëpia e Bardhë për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën, është aktivizuar i ashtuquajturi “Shutdown” – thënë ndryshe një bllokim i pjesshëm i aktiviteteve federale që shkakton dhe pezullimin e pagesave për rreth 800 mijë nëpunës.

Në thelb, deri në momentin që demokratë dhe republikanë nuk do të gjejnë një marrëveshje për sa i përket buxhetit, për shkak të “Shtudown” shumë shërbime të rëndësishme do të garantohen por nuk do të ketë pagë për ata që i kryejnë, ndërsa shërbime të tjera do të jetë totalisht të pezulluara deri në një urdhër të ri. Në këtë mënyrë do të vazhdojnë të funksionojnë departamentet si Pentagoni, buxheti Ii të cilit është miratuar, por një e katërta e agjencive të tjera federale mbeten të mbyllura. Mes të cilave dhe ato që merren me sigurinë e brendshme, forcat e rendit, mbledhja e taksave, transportet dhe parqet kombëtare.

Nyja kryesore e krizës politike lidhet me pesë milliardë dollarët që Donald Trump i kërkon Kongresit për ndërtimin e murit anti-emigrant, shumë që opozita nuk do në asnjë mënyrë t’ia japë republikanëve. Sipas Bussines Insider, në “Shutdown-in” e vitit 2013 u vonuan pagesat për një shumë totale prej 4 milionë dollarësh. Ndërkohë presidenti Tramp, i cili fitoi zgjedhjet dhe falë premtimit për një luftë të ashpër kundër emigracionit, nuk ka ndërmend të bëjë hapa prapa për sa i përket murit.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë përfitoi dhe nga vizita e tij e parë dhe surprizë në Irak ku takoi trupat ushtarake amerikane, për të mbrojtur politikat e tij dhe prioritetet e qeverisë. Trump u shpreh i gatshëm që të presë rihapjen e zyrave dhe ministrive deri sa të ketë marrë pesë milliardë dollarët për murin që synon të mbrojë sipas tij, kufirin amerikan me Meksikën. Do të bëj çfarë të jetë e mundur pasi amerikanët kërkojnë murin, përfshirë këtu dhe federalët që kanë mbetur pa paga për shkak  të “Shutdown-it”, këmbëngul Trump. Por pa dhënë shifra apo fakte reale të këtij pohimi. Ajo që është e qartë është se asnjë nga palët nuk ka ndërmend të tërhiqet.

Trump e ka theksuar disa herë që nuk ka ndërmend të heqë dorë, duke kënaqur në këtë mënyrë bazën e tij me militantë dhe ekstremiste, sekretin e pushtetit të tij. Deputeti ultra konservator i Karolinës së Veriut, Mark Medous, u shpreh se Donald Trump është shumë i vendosur për ndërtimin e murit. Por as demokratët që e cilësojnë murin si të kotë, të kushtueshëm dhe ksenofob, nuk bëjnë hapa prapa. Nensi Pelozi e cila u bë kryetare e Dhomës së Deputetëve në 3 Janar tashmë drejton një mazhorancë të re demokrate me të cilën shpresojnë të kenë më shumë zë në çështje të rëndësishme. Demokratët nga ana tjetër mund dhe të citojnë sondazhe të cilat tregojnë se si siguria e kufijve, pa arritur tek muri, është një nga shqetësimet e para për një të tretat e elektoratit. Në këtë klimë të tensionuar Senati ka parashikuar disa mbledhje, por ende duket shumë e vështirë gjetja e një zgjidhjeje. Dhe për të përshkallëzuar dhe më shumë tensionet për sa i përket mënyrës së trajtimit të emigrantëve nga administrata Trump, mediat konfirmuan se një fëmijë i dytë nga Guatemala ka humbur jetën në moshën 8-vjeçare në një nga qendrat amerikane të pritjes. Janë 800 mijë mga 4 milionë nëpunësit federal që preken nga kriza aktuale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga këta, rreth 420 mijë aktualisht po punojnë pa u paguar, pasi konsiderohen një forcë pune shumë e rëndësishme. Gjithsej janë nëntë ministritë e prekura, por dhe NASA dhe muzetë kombëtare. Por shërbimi i postës dhe aparati për sigurinë kombëtare funksionojnë.

Por çfarë e aktivizon krizën?

“Shutdown” aktivizohet automatikisht kur Kongresi nuk arrin të miratojë dhe të firmosë nga Presidenti ligje të përshtatshme dhe normale financiare për vitin financiar aktual. Thënë ndryshe ndarjen e fondeve për ministritë e agjencitë federale që zgjasin nga muaji Shtator deri në Shtatorin tjetër. Nga viti 1976, datë kur janë krijuar dhe procedurat aktuale të buxhetit, kanë ndodhur 21 “Shutdown-e”. këto të fundit janë shtuar në numër, por dhe zgjasin më shumë nga vitet ’90 e më tej, në një klimë me një polarizim të përshkallëzuar politik mes demokratëve dhe republikanëve, duke u transformuar në beteja, ku secila palë këmbëngul për prioritetet e saj. Në presidencën demokrate të Bill Klinton ndodhën dy “Shtudown”, në vitin 1995 dhe 1996, të cilat zgjatën pesë dhe 21 ditë, ky i fundit ishte dhe më i gjati deri në momentin e “Shutdown-it” të fundit. Atëherë në lojë ishin reduktimet në shërbimet publike që kërkoheshin nga lideri republikan i parlamentit Njut Gingric në kuadër të një projekt buxheti 7-vjeçar.

Por ishte në kohën e presidencës po demokrate të Barack Obamës që ndodhi dhe blokimi më i rëndë; në Tetor të vitit 2013 republikanët shkaktuan “Shutdown” në përpjekje për të bllokuar reformën shëndetësore “Obamacare”. “Shutdown” vazhdoi për 17 ditë, por republikanët u detyruan të dorëzohen, duke iu nënshtruar vullnetit të opinionit publik. Por Presidenti aktual Trump ka qenë protagonist i dy mini-Shutdown-ëve. Të dyja në fillim të vitit 2018. i pari zgjati tre ditë, dhe i dyti pak orë. Bllokimi prej tre ditësh u organizua nga demokratët në shenjë proteste kundër vendimit të Trump për të mos rinovuar DAKA, leja qëndrimi për fëmijët e prindërve klandestinë që kanë hyrë në moshë të mitur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Opozita hoqi dorë vetëm pas pak ditësh. Bilanci i Shutdown ndryshon sipas kohëzgjatjes dhe shtrirjes. Në vitin 2013 kushtoi rreth 24 miliardë dollarë, 1.5 miliardë dollarë në ditë. Në rast se bllokimi është i pjesshëm, humbja shënon 1.3 miliardë dollarë në javë. Rreziku më i madh dhe i vështirë për t’u matur është ai politik, duke iu referuar perceptimit të përgjegjshmërisë dhe besueshmërisë së qeverisë dhe institutcioneve. Donald Trump, nga ana e tij, shprehet se është i gatshëm të vazhdojë me Shutdown për muaj të tërë,ose dhe për disa vite nëse do të duhet.

Por realiteti është se “Shutdown” po jep pasoja të forta dhe për kreun e Shtëpisë së Bardhë. Analistët shprehen se Trump dhe stafi i tij nuk e kishin kuptuar që në fillim ndryshimin e ditëve – muajve dhe viteve kur bëhet fjalë për kohëzgjatjen e “Shtudown”. Në fakt, sipas Uashington Post, që citon zyrtarë të administratës,as Presidenti dhe as ekipi i tij nuk e kanë të qartë se cilat janë pasojat e një mbylljeje të gjatë të qeverisë, duke marrë parasysh amerikanët që mund të dëbohen nga shtëpia pasi nuk paguajnë dot qeranë, apo dhe pasoja të rrezikshme në trafikun ajror. Sipas prestigjozes britanike zyrtarët e administratës Trump kanë filluar të kuptojnë atë që vërtet po ndodh, vetëm ditët e fundit dhe tashmë po studiojnë të gjitha mënyrat e mundshme për të ndërhyrë.

Analistët paralajmërojnë se nëse buxheti i agjencive të qeverisë nuk është elastik sa duhet për t’u përballur me disa ditë pezullimi, marrëdhënia mes kohëzgjatjes së “Shtudown” dhe pasojat e saj nuk është lineare, një mbyllje prej 30 ditësh nuk ka impakt 10 herë më të rëndë në krahasim me tre ditë, por plot 100 herë. Për momentin të dhënat flasin qartë: nëse “Shutdown” do zgjaste deri në Shkurt, do të regjistrohej një bllokim prej 140 miliardë dollarësh rimbursime. Ndërsa aktualisht, nëpunësit e administratës për sigurinë e transportit nuk mund të vazhdojnë të kryejnë punën e tyre pa u paguar, në pafundësi. Nëpunësit në disa aeroporte amerikane kanë nisur grevat dhe në një pikë transporti ajror do të ndalojë.

Analistët janë të bindur se as vetë Donald Trump nuk e ka të qartë se cfarë duhet të bëjë në këtë moment. Presidenti amerikan i tha liderit të minorancës së senatit Charles Schumer se do të dukej si një i çmendur nëse do të pranonte të rihapte qeverinë pa marrë më parë disa lëshime. Por nga ana e tyre demokratët nuk do të kenë asnjë interes që të dorëzohen sepse e dinë shumë se përgjegjësia e “Shutdown” është e kreut të shtëpisë së Bardhë. Një nga mënyrat për të dalë nga situate do të ishte gjetja e një marrëveshjeje me demokratët për një reformë emigracioni. Por një reformë e tillë është e vështirë të çohet deri në fund, po aq e vështirë është dhe përfundimi i “Shutdown”. Pa marrë parasysh se muri me Meksikën, sipas disa mediave, do të ishte një strategji e thjeshtë dhe efikase për komunikimin më shumë se se një objektiv real i politikave të emigracionit të Presidentit amerikan. Edhe ata më konservatoorët janë të bindur se përfundimi i betejës për çështjen e murit, nuk do të jetë dhe aq i rëndësishëm. Por ata shqetësohen për figurat e tjera politike që do të sakrifikohen nga Presidenti amerikan Trump, gjatë kësaj kohe./abcnews.al