Gazetarja Etleva Delia ka folur lidhur me operacionin “Never Foret”, ku u arrestua Artan Tafani, një ndër bashkëpunëtorët e Laert Haxhiut dhe ka zbuluar disa nga vrasjet e organizuara nga lushnjari.
E ftuar në “Tirana Live”, ajo ka thënë se problemi tashmë qendron se shumë vrasës me pagesë ka në një vend të vogël siç është Shqipëria.
Sipas gazetares janë të gjithë vrasës me pagesë, persona që nuk kanë asnjë lidhje me viktimat, asnjë problem personal me ta, por thjesht vrasin ose tentojnë t’i vrasin për qëllime monetare.
“Problemi që del në kuadër të këtij operacionin, është sa shumë vrasës me pagesë paska në këtë vend të vogël. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, dhe prokurori i Elbasanit, thonë se të gjitha krimet e kryera nga ky grup, që deri tani nuk është konsideruar i strukturuar kriminal, po besoj do formohet një i tillë dhe do të kaloj çështja në SPAK, tha që këto krime janë kryer për arsye përfitimi, do të thotë që janë paguar. Pra, janë të gjithë vrasës me pagesë, persona që nuk kanë asnjë lidhje me viktimat, asnjë problem personal me ta, por thjesht vrasin ose tentojnë t’i vrasin për qëllime monetare”.
Më tej, ajo u ndal dhe te Artan Tafani, duke ndarë detaje nga momenti i arrestimit të tij në një hotel në Lushnje.
“Artan Tafani ishte shpallur në kërkim që pas ngjarjes që ndodhi në zonën e Astirit. Ndërkohë, pas kontrollit që u bë te kjo grabitje, u gjetën gjurmë biologjike, të cilat i lidhin me një tjetër vrasje që ka ndodhur më parë. Mos gaboj ka qene vrasje për gjakmarrje dhe u shpall dhe në kërkim dhe për këtë. Ai është arrestuar të shtunën në një hotel në afërsi të një karburanti. Është arritur të lokalizohet përmes një pajisje që gjurmonte valët e telefonit të tij. Në momentin që policia ka ndërhyrë, ai ka tentuar të arratiset në tarracën e hotelit, por nuk ka bërë rezistencë dhe është dorëzuar”./abcnews.al