Thomas Tuchel u shkarkua nga PSG pak ditë më parë, por pushimet e trajnerit gjerman nuk mund të zgjasin shumë. Interesimi nga Premier League nuk i mungon.
Bild raporton se 47-vjeçari pëlqehet shumë nga Roman Abramovich, presidenti i Chelsea. Rusi ka tentuar edhe më parë ta afrojë në stolin e ekipit londinez.
Pavarësisht merkatos faraonike, “Blutë e Londrës” renditen në vend të tetë në kampionat dhe kanë pësuar 3 humbje në 4 ndeshjet e fundit në Premier League.
Djemtë e Frank Lampard po shfaqen të brishtë në transferta dhe pozitat e trajnerit janë lëkundur. Diferenca me vendin e parë ka shkuar 7 pikë.
Dy sfidat e ardhshme shtëpiake ndaj Aston Villa dhe Manchester City janë të rëndësishme dhe vendimtare për të ardhmen e Lampard në stolin e Chelsea.
Nëse ekipi vazhdon të lërë pikë dhe nuk rikthehet te rezultatet pozitive, Abramovich mund të bëjë ndryshimin në pankinë, duke ia besuar atë gjermanit Tuchel. /abcnews.al