Shulku: S’ka asnjë ankesë për Flamurtarin, ja pse mund të rrezikojnë klubet sivjet

schedule22:42 - 26 Dhjetor, 2019

schedule 22:42 - 26 Dhjetor, 2019

Licensimet e klubeve janë një problem më vete. Një pjesë e mirë e klubeve të Superiores kanë borxhe, ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, ka folur për këtë temë në emisionin “Pressing” në ABC News. Nëse sivjet u licencuan pas marrëveshjeve me Drejtoritë Tatimore, vitin tjetër rrezikojnë nëse nuk i shlyejnë borxhet sikurse kanë rënë dakord.

“Nuk ka asnjë autogol me licencimet. Në bazë të letrave klubet i kanë plotësuar kriteret, në kuota minimale. Rregullorja e vjetshme e ka pasur që lejohet pagimi i borxheve me këste. Në rastin konkret, te Flamurtari, nuk kemi asnjë ankesë. Nuk ka debit, sa kohë nuk ka ankesa. Klubet po plotësojnë dokumentet për licencimin. Kur të mos plotësohen, do të ketë masa”.

“Vjet klubet kanë pasur disa borxhe, edhe ndaj palëve të treta. Qeveria ka dalë garant që të shlyhen me këste një pjesë. Shkresën që ka ardhur nga Drejtoria e Tatimeve, Komisioni e ka marrë për bazë. E lejon rregullorja e UEFA-s. Rregullorja e sivjetshme ka gjëra të tjera. Nëse klubet s’i kanë shlyer detyrimet, Tatimet nuk e japin më të njëjtin letër. Kjo i penalizon klubet pastaj”.

“Çdo vit ndihmohen klubet për licencimet. Kemi toleruar më parë për licencimet, tani gjërat kanë ardhur duke u shtrënguar. Ka shumë ekspert në çdo fushë dhe klubet po ndërgjegjësohen. Shumica e pikave janë plotësuar. Ka akoma pika, por punohet. Para tre javësh u bë një seminar me klubet për anën financiare. Ekspertet e UEFA-s mbetën të kënaqur me atë që ndodhi. Gjërat po përmirësohen hap pas hapi”.

“Gjendja financiare e klubeve? Realisht nuk është detyra e federatës për problemet financiare. Kanë probleme, të jemi të sinqertë. Nuk shkëputet futbolli nga pjesët e tjera, edhe bizneset kanë probleme. I kemi ndihmuar klubet dhe i ndihmojmë, por duhet që klubet të gjenerojnë të ardhura, të kenë stadiumet e tyre. Nuk është mënyra e duhur duke marrë fonde nga bashkitë”.

“Laçi, Partizani dhe Kukësi, të vetmet që licencohen? Unë nuk e them dot këtë, nuk e kam këtë të dhënë. Unë di që Komisioni i Licencimet nuk ka një raport akoma. Sot janë të gjithë të kalueshme, nesër mund të jenë tre. Kriteri financiar është më i rëndësishmi. Kur të vijnë letrat do ketë vendim. Nuk ka shkresa që klubet kanë detyrime të papaguara. Nëse nuk i plotësojnë kushtet, atëherë merren vendime”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!