Shuhet zyrtarisht Super League, UEFA zbulon marrëveshjen me 9 të penduarit

schedule20:45 - 7 Maj, 2021

schedule 20:45 - 7 Maj, 2021

Zyrtarisht Super League ka marrë fund. Kanë mbetur vetëm Juventusi, Reali dhe Barcelona, klubet që nuk kanë pranuar marrëveshjen me UEFA-n. Manchester United, Manchester City, Arsenal, Chelsea, Tottenham, Liverpool, Atletico Madrid, Inter dhe Milani i fundit, pranuan të nënshkruanin tërheqjen përfundimtare nga Super League.

Ato kanë nënshkruar me UEFA-n dhe nëse të ardhmen luajnë në këtë kompeticion, do të duhet të paguajnë 100 milion euro gjobë. Veç kësaj, nëse futen në tratativa për diçka të tillë, atëherë do gjobiten me 50 milion euro.

Në marrëveshje thuhet se 9 klubet do të respektojnë statutin e UEFA-s, do ushtrojnë gjithë fuqinë e tyre ligjore për të ndaluar krijimin e Super League, do të bëjnë donacion 15 milion euro për futbollin e fëmijëve, të rinjve dhe futbollin bazë në komunitetet lokale anembanë Europës dhe Britanisë së Madhe, si dhe do të heqin dorë nga 5 për qind e të ardhurave nga kompeticionet europiane sezonin e ardhshëm.

9 klubet kanë nënshkruar së bashku një “Deklaratë të Angazhimeve” dhe Paneli i Emergjencës së Komitetit Ekzekutiv e ka pranuar. Të gjitha këto klube pranojnë se projekti i Super League ishte një gabim dhe u kërkojnë falje tifozëve, federatave, ligave, klubeve europiane dhe vetë UEFA-s. Gjithashtu klubet kanë pranuar se projekti binte ndesh me statutet dhe rregulloret e UEFA-s.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, mes të tjerash ka deklaruar: “UEFA ka vendosur të shkruajë një kapitull të ri dhe të ecë përpara me një frymë pozitive. Klubet e pranuan se gabuan, masat e ndërmarra janë domethënëse. Asnjë nga gjobat nuk do të mbahet nga UEFA, por do të investohen tek të rinjtë dhe në futbollin bazë në komunitetet lokale në Europë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Klubet i pranuan gabimet dhe reaguan dhe treguan angazhimin e tyre për të ardhmen e futbollit europian. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për klubet që mbeten të përfshira në të ashtuquajturën Super League. UEFA do të merret më pas me ato klube”. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!