Shuhet papritur në moshën 46-vjeçare këngëtarja e grupit “The Cranberries”

schedule22:31 - 15 Janar, 2018

schedule 22:31 - 15 Janar, 2018

Shuhet papritur në moshën 46-vjeçare, këngëtarja Irlandeze, Dolores O’Riordan. Njoftimi është bërë nga agjenti i saj. Ajo u bë e famshme me hitin e saj Zombi në vitin 1995.

Kantautorja, muzikantja dhe aktorja irlandeze Dolores O’Riordan është shuar papritur në moshën 46-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga agjenti i saj me anë të një njoftimi. “Këngëtarja ishte një Londër për një sesion të shkurtër regjistrimi. Nuk ka detaje të tjera për momentin”, theksohet në njoftim. Dolores ishte pjesë e grupit “The Cranberries”. Në 2017, ata kishin ndërprerë turin e koncerteve për shkak të problemeve shëndetësore të 46-vjeçares.

“Familjarët janë të shkatërruar nga lajmi dhe kanë kërkuar që të respektohet privatësia e tyre në këtë moment kaq të vështirë”, nënvizohet në njoftim.
Dolores O’Riordan iu bashkua grupit në vitin 1990. Albumi i tyre i parë ishte: “Everybody Else Is Doing It, So Why Can’t We?”. Ndërsa një vit më vonë në 1994 “The Cranberries” publikuan albumin “No Need to Argue”, i cili përmbante dhe këngën me titull “Zombie”.

Kjo këngë e bëri grupin shumë të famshëm dhe arriti të fitojë çmimin e “MTV Awards” si kënga më e mirë e 1995-s. Ata më pas do të publikonin dhe disa albume të tjera përpara se të shpërbëheshin si grup në vitin 2003. Për disa kohë, Dolores O’Riordan zhvilloi aktivitetin si soliste. Por në 2009, ajo zyrtarizoi ribashkimin e grupit. Albumi i tyre i fundit u publikua në 2017 dhe mban titullin “Something Else”.

Këngët e Dolores janë përdorur në shumë filma. Gjithashtu këngëtarja irlandeze ka pasur edhe disa bashkëpunime ndërkombëtare. Që prej 2013 ajo ishte pjesë e jurisë së versionit irlandez të “The Voice”./abcnews.al