Shuhet kolosi i letrave shqipe/ Kote: Shkrimtarë si Kadare, Shqipërisë do t’i vijnë një herë në 500 vjet

schedule13:18 - 1 Korrik, 2024

schedule 13:18 - 1 Korrik, 2024

Prefekti i Gjirokastrës, njëherësh shkrimtari Odise Kote thotë se ndarja nga jeta e kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare, do të lërë një boshllëk të madh në shkencën shqiptare.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Kote u shpreh se Kadare ka qenë punëtor i palodhur i gjuhës shqipe.

Sipas Kotes, shkrimtarë dhe personalitete si Kadare, Shqipërisë do t’i vijnë një herë në 500 vjet.

“Në fakt, mëngjesin e 1 korrikut u zgjuam me një lajm të trishtë. Familja Kadare humbën njeriun e tyre të dashur, Gjirokastra humbi njeriun e parë, zotërinë fisnik, Shqipëria humbi një nga pikat më të rëndësishme të referimit, për artin, kulturën. Letërsia shqipe, evropiane, botërore, humbën një nga kolosët. Ta përcjellim ashtu siç ai e meriton. Do të thoja që, Ismail Kadare, për 70 vite, ka qenë i mosmunguari i madh në çdo moment, ka kapërcyer në çdo çast në letërsinë shqipe. Ismail Kadare ka qenë i duhuri, pika më e rëndësishme e referimit për shqiptarët në Ballkan, në të gjithë botën. Ai ka qenë i domosdoshëm. Pas Skënderbeut, Kadare është shqiptari më i madh që e ka bërë Shqipërinë të njohur në të gjithë botën. Është pjesë e 27 mijë bibliotekave të botës. Ikja e Kadaresë do të lërë boshllëk të madh për të gjithë shkencën shqiptare, Ishte punëtor i palodhur i gjuhës shqipe. Kadare është njeriu më koherent dhe bashkëkohor që shqiptarët kanë pasur në raport me botën. Përmasat e tij, është evropian dhe mbase botëror.

Zoti dhe Gjirokastra i dhanë Kadaresë instrumentin e fantazisë. Qyteti i Gjirokastrës i dha inteligjencë të derdhur në gur, shekuj pas shekujsh. Gjirokastra është në brendësi, dimensioni i ADN, vetëm Zoti dhe qyteti ia falën Kadaresë. Ismail Kadare ishte një shkencëtar shumë i madh i punës. Ata që e kanë njohur, e dinin që punonte deri në 16 orë në ditë. Ishte një nga njohësit më të mëdhenj të historisë botërore. Ky njeri, duke pasur instrumentin e fantazisë, bëri çudira në 70 vitet e tij. Shkrimtarë të tillë, do t’i vijnë Shqipërisë një herë në 500 vjet”, theksoi ai./abcnews.al