Shtyhet seanca ndaj Shullazit

schedule12:13 - 25 Mars, 2019

schedule 12:13 - 25 Mars, 2019

Shtyhet për të disatën herë në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, seanca për Emiliano Shullazin dhe 4 të pandehurit e tjerë. Shkak për shtyrjen është bërë vrasja e avokatit Ravik Gurra, kolegët e tij i kërkuan gjykatës që të shtyrjen e seancës pasi janë në gjendje të rënduar psikologjike.

Vrasja e avokatit Ravik Gurra ka sjellë këtë të hënë, shtyrjen e seancës në ngarkim të klientit të tij Emiliano Shullazi në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda. Vrasja të premten e avokatit të njohur ka bërë që kolegët e tij Vladimir Meçe, Elton Domi dhe Bledar Meminaj në këtë çështje të kërkojnë shtyrjen e seancës për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.

Një aspekt tjetër që çoi sot në shtyrjen e këtij procesi ishte dhe një përplasje juridike mes avokatësh. Seancën e kaluar, gjykata kishte caktuar një avokate kryesisht për Gilmando Danin. Në seancën e sotme mungonin si avokatja, kryesisht ashtu dhe avokati i kontraktuar prej tij, Denion Bogdani.

Ndërkohë nuk është vendosur se çdo të bëhet me Emiljano Shullazin nëse do t’i caktohet një avokat kryesisht apo mbrojtjen e tij do ta marrë edhe ne Apel avokati Vladimir Meçe, i cili e ka mbrojtur në Shkallë të Parë.

Kaq ka mjaftuar që seanca ne ngarkim të Emiljano Shullazit dhe grupit të tij tështyhet për në datë 8 Prill, në orën 09:30. Ky grup u dënua në total me 55 vite heqje lirie nga Gjykata e Krimeve të Rënda, nga të cilat me 14 vite burg u dënua Emiljano Shullazi.

Ndërkohë hetimet për zbardhjen e vrasjes së avokati Ravik Gurra kanë ngritur dyshime të reja. Zona ku ka ndodhur vrasja është e gjitha e survejuar nga kamera sigurie pasi të gjitha lokalet aty pranë janë të pajisura me kamera.

Ekzekutori ka lëvizur në këmbë për rreth 30 metra dhe fare mirë mund të jetë filmuar nga kamerat e Bashkisë Elbasan, por janë ngritur pikëpyetje nëse këto kamera janë funksionale.

Gjithashtu janë ngritur dyshime për dy makina, të cilat vetëm 5 minuta para vrasjes së avokatit janë filmuar duke lëvizur më shpejtësi nga kryqëzimi i Cërrikut dhe njëra prej tyre ishte BMW.

Nëse këto dyshime janë të vërteta atëherë makina e djegur në Bradashesh ishte një karrem për të ngatërruar policinë. Autori është fiksuar nga kamerat e sigurisë, por deri tani nuk është bërë i mundur identifikimi i tij për shkak se në kokë ai mbante një kapele, gjë e cila bënte që të mos i dallohej fytyra./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!