Shtyhet përsëri seanca gjyqësore për Emiljano Shullazin dhe 4 anëtarët e bandës

schedule12:19 - 19 Tetor, 2020

schedule 12:19 - 19 Tetor, 2020

Seanca gjyqësore e radhës për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij, është shtyrë përsëri. Ky proces vijon të shtyhet që prej 1 viti.

Edhe kjo seancë u shty pasi mungonte avokati i caktuar kryesisht nga Gjykata, gjithashtu edhe prokurori i çështjes.

Gjyqi ndaj 5 anëtarëve të grupit të Emiljano Shullazit shqyrtohet nga anëtarë të trupës gjykuese: Albana Boksi, Artur Kalaja dhe Astrit Kalaja.

Ndërkohë avokatët e të pandehurve dhe vetë ata, kanë kërkuar që të mos gjykohen nga Gjyqtarët që vijnë nga Gjykata e Apelit të zakonshëm, por nga gjyqtarët e Posaçëm, kjo ka qenë pika në të cilën ka ngecur procesi i gjyqit ndaj Emiljano Shullazit dhe grupit të tij, krijuar pas ngërçit me Gjykatat.

Siç raporton gazetarja Glidona Daci për abcnews.al, Gilmando Dani së bashku me Emiljano Shullazin kanë kundërshtuar gjithashtu regjimin “41 bis”.

Sipas pretendimeve të tyre, ata thonë se nuk ka një vendim të formës së prerë në ngarkim të tyre, dhe për këtë arsye ata kanë kundërshtuar regjimin “41 bis”, duke ankimuar vendimin e Ministrisë se Drejtësisë, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka kërkuar informacion në Ministrinë e Drejtësisë, për mënyrën si është proceduar, me izolimin e 5 anëtarëve të grupit të Emiljano Shullazit.

Grupi i “Shullazit” është dënuar me gjithsej 55 vite burg nga Ish-Gjykata e Krimeve të Rënda.

Ata akuzohen për krijim të grupit të strukturuar kriminal, kanosje dhe shtrëngim me anë të dhunës për dhënie pasurie.

n.d./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!