Shtyhet për të tretën herë nisja e seancës për grupin “Habilaj”

schedule18:59 - 26 Qershor, 2019

schedule 18:59 - 26 Qershor, 2019

Mosnjoftimi i Moisi Habilajt, Nazer Seitit,  Fatmir Minajt dhe Meridian Sulajt është bërë shkak që të shtyhet për të tretën herë nisja e procesit gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në këtë seancë mungonin edhe avokatët e Moisi Habilajt, për të cilët prokuroria kërkoi që të merren masa.

Dështon për të tretën herë radhazi nisja e procesit gjyqësor për grupin e Habilajve, në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Shkak për shtyrjen e seancës është bërë mosnjoftimi me anë të letërporosisë për Moisi Habilajn, Nezar Seitin, Fatmir Minajn dhe Meridian Sulajn. Në këtë seancë mungonin edhe avokatët e Moisi Habilajt.

Për 4 të pandehurit, organi i akuzës kërkoi që të njoftohet dhoma e avokatisë pasi mungesa për herë të dytë, nuk justifikohet në ligj. I vetmi që ndodhet në Shqipëri është Armando Koçerri, kërkesa e të cilit për të mos lejuar mediat që të ndjekin procesin gjyqësor, ka mbetur pa u shqyrtuar nga gjykata.

Grupi i Habilajve akuzohet për trafikim ndërkombëtar lëndësh narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Pak kohë më parë gjykata Italiane e Katanias ka dhënë vendimin për 8 të pandehurit e këtij grupi që gjenden përpara drejtësisë së vendit fqinj.  

Kjo gjykatë vendosi që të dënojë me 15 vjet, 5 muaj dhe 10 ditë burg Moisi Habilajn. Nezar Seiti, i konsideruar si arkëtari i organizatës kriminale, u dënua me 7 vjet, 4 muaj dhe 26 ditë burg. 

Ndërsa Meridian Sulaj u dënua me 8 vjet dhe 4 muaj burg. Ndërkohë, dy të pandehurit e tjerë Florian Habilaj dhe Sabaudin Çela vazhdojnë të jetë në arrati. Ata janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Shqipëria dhe Italia./ABC News Albania 24/7