Ashtu siç pritej, mazhoranca e shtyu votimin e projektligjit për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve. Mungesa e opozitës e bënte të pamundur arritjen e 84 votave të kërkuara. Pas seancës, kreu i grupit socialist tha se po kërkohet konsensus nga dy grupet opozitare.
E dinin që nuk i kishin votat ndaj kërkuan shtyrjen për të enjten e 12 Korrikut votimin për ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pjesë e paketës organike të reformës në drejtësi, i cili kërkon një shumicë të cilësuar prej 3/5-tave ose 84 deputetëve.
Mediat i lajmëroi për tentativa negociatash me kundërshtarin politik.
Taulant Balla: “Ne duam dhe kemi prirjen që ky të jetë një proces të paktën me konsensus me njërën prej forcave politike në opozita. Ftesa ime është patjetër për deputetët e grupit parlamentar të LSI-së, por mos harroni se para një viti kemi patur të njëtën pozitë”.
Projektligji i miratuar në komision vetëm me votat e mazhorancës kërkon të zgjasë kohën e parashikuar nga dispozitat kalimtare për emërimin dhe caktimin në pozicione të kandidatëve magjsitratë të diplomuar, nga prokurori i Përgjithshëm dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Kjo për shkak të vonesës thuajse një vjeçare të ngitjes së organeve të reja të drejtësisë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë, në mungesë të së cilave, ligji aktual pamundëson regjistrimin e studentëve në shkollën e magjistraturës./abcnews.al