TIRANË- Pasi tre gjyqtarët nuk arritën unanimitet të martën për të vendosur kalimin apo rrëzimin e padisë së kryeministrit për çështjen Balluku, Gjykata Kushtetuese shtynë me mbi një javë Mbledhjen e Gjyqtarëve.
Avokati Idajet Beqiri, në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News tha se Gjykata Kushtetuese nuk është në nivelin e duhur.
Ai tha se Gjykata po ngelet peng i politikës, duke mos u treguar në nivelin e saj.
Gjithashtu gjatë intervistës, theksoi se pushteti gjyqësor nuk është në rolin e saj, dhe se sipas tij po luan rolin e destabilizuesit.
“Ky pushtet gjyqësor edhe pse u bë një reformë e thellë dhe po mbushen afërisht 10 vite, ne po shohim që ky pushtet nuk po e merr dot veten. Reformat kanë ngecur. Nisi mirë, u mendua se me qëndrimet e para që mbajti SPAK nuk do kishin më pandëshkueshmëri në këtë vend. Nga ana tjetër me pastrimin që iu bë afro gjysmën gjyqtarëve dhe prokurorëve, u mendua që një pjesë e tyre, pasi nuk mund t’i përfshijmë të gjithë, por pjesa tjetër u mendua që do kenë frikë dhe nuk do fusin duart në xhepat e qytetarëve. Por me këtë akt të sotëm tregon që nuk është në nivelin e gjykatës dhe disa anëtarë të saj po ngelen peng të politikës. Këtu nuk ka nevojë të bësh teori, neni 103 thotë që ministri barazohet në imunitet me deputetin dhe që këtu mbaron. Pushteti gjyqësor nuk është në rolin e vet, dhe po luan rolin e destabilizuesit , të çorientuesit”, tha ndër të tjera ai.

