Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë vendimin në lidhje me vlefshmërinë për mandatin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Në “Edicioni Qendror” në ABC News, analisti Mentor Nazarko, tha se KQZ edhe për shkak të ndjeshmërisë së lartë ndërkombëtare që ka marrë gjykimi i tij, ka vendosur të aplikojë standarde më tolerante.
Më tej shtoi se kjo nuk sjell ndonjë ndryshim në atë që është “fati i parashikuar i tij”.
“Mund të them nga këndvështrimi Kushtetues, që më pas na çon në një interpretim tjetër që lidhet me statusin e Belerit sot që është njëlloj eurodeputet, duhet të shikohet me një vëmendje më të posaçme. Ligji i dekriminalizimit është një ligj që cënon të drejtën kushtetuese të individit për t’u zgjedhur, pra ai është një figurë e zgjedhur dhe në emër të një interesi publik opozita ka imponuar një standard të ri që është quajtur i arsyeshëm edhe nga gjykata e Këshillit të Evropës, gjykata e Strasburgut. Pra kemi funksionimin e ligjit të dekriminalizimit të një rasti special siç është figura e Fredi Belerit. Që është një figurë me dy shtetësi. Pikërisht pse lidhet çështje e tij me një të drejtë Kushtetuese, KQZ edhe për shkak të ndjeshmërisë së lartë ndërkombëtare që ka marrë gjykimi i tij, ka vendosur të aplikojë standarde më tolerante, por kjo nuk mendoj që sjell ndonjë modifikim në atë që është fati i parashikuar i tij që është vendimi përfundimtar që nuk mund ta ushtrojë mandatin e tij dhe për pasojë në Himarë do të duhet të ketë zgjedhje”, tha ai.
Berishizmi, një doktrinë fituese?
Nazarko: Mund të jetë fituese vetëm në atë që kanë tërësia e ushtrisë elektorale të të djathtës, brenda tyre. Pra nuk e bën atë një doktrinë fituese në elektoratin shqiptar. Që të mundësh PS, Ramën do të duhet të përfaqësosh shumicën e shqiptarëve dhe kjo nuk duket askund, që është. Sepse është vërtetuar në disa zgjedhje. Që të bëhet e tillë Berisha duhet të shikojë në pasqyrë vetveten. Unë nuk shoh asnjë rezultat konkret në këtë afirmim të të djathtës berishiste sesa brenda përbrenda kampit ish demokrat, që është shumë i vogël përballë Edi Ramës. Dhe nuk shoh asnjë formë federimi apo organizimi ku të gjithë palët të ruajnë ndjeshmëritë e tyre politike. Lidershipin e tyre që është afirmuar tani. Pra nuk shoh asnjë lloj zhvillimi në këtë drejtim, përbashkues.
/abcnews.al/