Festimet e Ditës së Verës në Tiranë do të zhvillohen më 17 mars. Këtë e bëri të ditur kryetari i bashkisë Erion Veliaj i cili tha se 80% e qytetarëve duan që festimet të zhvendosen për të dielën.
Ditë vere në Tiranë do të jetë 17 marsi. Festimet bashkia ka vendosur t’i zhvendosë për të dielën kur parashikohet dhe mot me diell. Vendimin kryebashkiaku Erion Veliaj tregon se e mori pas sondazhit të zhvilluar me qytetarët në rrjetet sociale.
“Falë 10 mijë votave të qytetarëve kemi vendosur që Ditën e Verës ta festojmë në ditë me diell dhe jo me shi. Në fund të ditës, festojmë jo për qejf të kalendarit, por për qejf të njerëzve. Meqë shumica e njerëzve duan që të mos lagen dhe fëmijët ta gëzojnë Ditën e Verës për t’u argëtuar në Tiranë, ku do të ketë rreth 50 aktivitete, me mbi 80% të votave qytetarët vendosën se duan ta festojnë të dielën, sidomos edhe ata që janë në punë private dhe ndoshta të enjten nuk kanë mundësi”.
Kryebashkiaku bëri të ditur vendimin nga Njësia Administrative numer shtatë ku pa punimet e kryera në një prej pallateve të zonës. Ndërtesa është rikonstruktuar dhe veshur me sistem kapot çka mundëson uljen e kostos së energjisë për banorët. 50% e investimit u financua nga bashkia, pasi banorët e pallatit aplikuan për Fondin e Komuniteteve.
“Ky është një nga tre mijë pallatet që ka administratorë, por nuk mjafton vetëm ta kesh të parin e fshatit, duhet edhe të komandojë. Ndaj, më vjen mirë që Natasha, si e para e këtij komuniteti, arriti të mblidhte fondin e banorëve, pastaj ky fond u barazua nga bashkia dhe të dyja bashkë realizuan në kohë rekord këtë investim: një pallat me termoizolim, i cili ka dalë në dritë. Dikur ishte një pallat skiç, prodhim i viteve ‘90, tani një pallat model, i riparuar, me pompë, me kamera dhe gjithë shërbimet e tjera”.
Vetëm 3 muajt e parë të vitit pranë Bashkisë së Tiranës, janë kryer 15 aplikime të reja për Fondin e Komunitetit. /abcnews.al