FIER– Në prag të sezonit të korrjeve, drithërat si elbi dhe tërshëra, pritet të mbushin plot hambarët e fermerëve në Myzeqe.
Të dhënat nga drejtoria e bujqësisë në Fier tregojnë se drithërat që deri disa vite më parë kultivoheshin vetëm për gjënë e gjallë, tani po zëvendësojnë sipërfaqet me misër dhe grurë.
Konsumimi i tyre po vlerësohet gjithnjë e më shumë si produkte të dobishme për njeriun.
“Po përdoret shumë elbi dhe tërshëra… ka vlera ushqyese dhe lufton sëmundje të ndryshme”
Elbi kryeson këtë vit krahasuar me drithërat e tjerë në sipërfaqen e mbjellë ndërsa rendimenti pritet të jetë i lartë. Nga 3587 ha një vit më parë, këtë sezon, fermerët pritet të korrin 3755 ha me elb, afërsisht 200 ha më tepër.
Sipas fermerëve elbi është një kulturë që nuk kërkon shpenzime dhe ka vlera të larta ushqyese për gjënë e gjallë.
Shtim ka pasur këtë vit edhe në sipërfaqet me tërshërë ndërsa misri dhe gruri kanë pësuar rënie.
Këtë vit në fushat e Myzeqesë janë kultivuar 8954 ha grurë, rreth 2 mijë hektarë më pak se vitin e kaluar. Shkak për braktisjen e grurit nga fermerët janë janë kostot e larta të shërbimeve ndaj kësaj kulture, ndikuar edhe nga kushtet e motit./abcnews.al