TIRANË– Zgjerohen sipërmarrjet e reja në vend. Më shumë se 1400 subjekte të reja janë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) vetëm përgjatë muajit shtator çka sinjalizon një klimë pozitive të të bërit biznes në vend.
Vijojnë të mbizotërojnë bizneset tradicionale, kryesisht sipërmarrje që lidhen me shërbimet dhe tregtinë. Eksperti për sipërmarrjet, Rezart Lahi, i ftuar në “Money Report” thotë se bizneset shqiptare po rriten, por pjesa që vihet re më shumë është mungesa e inovacioneve në këtë sektor.
Ai theksoi se bizneset janë ende në fazën e “kopjimit” të njëra tjetrës dhe nuk po kalojnë përtej kësaj mendësie, e cila siç thotë ai kërkon një treg me më shumë konsumatorë.
Në Shqipëri Sipas ekspertit mungon bursa dhe kjo sigurisht ka efektet negative.
Duke folur në “Money Report”, eksperti e cilësoi pozitive qasjen dhe mbështetjen e dhënë nga qeveria për idetë novatore.
Megjithatë Lahi thotë se është koha që shteti jo vetëm të japë para, por duhet të hyjë si bashkëaksioner me kompani dhe të menaxhojë aksionet e veta, qoftë dhe përmes një pale të tretë, të kontraktuar për këtë qëllim.
“Vazhdon të jetë i njëjti trend, pjesa e kombinimeve të të njëjtave shërbime ka bërë që të shtohen ato, por bizneset qëndrojnë larg inovacionit. Në Shqipëri mungon bursa dhe kuptimi në bursë dhe investimet janë individuale. Jemi treg i vogël.
Inovacionet zakonisht ndodhin në tregje të mëdha. Janë bërë disa hapa në këtë fushë dhe është gjë e mirë që qeveria i ka mbështetur dhe duhet më shumë bashkëpunim me biznesit, dhe sipërmarrësve, të cilët kanë fonde për të alokuar. Shteti jo vetëm të dhuronte para por të ishte bashkë-aksionerë te këto kompanitë ose të kalonte te një palë e tretë që të menaxhonte aksionet e shtetit”, tha ai.
Ai shtoi se bizneset shqiptare nuk e kanë përqafuar siç duhet inteligjencën artificiale dhe nuk po përfitojnë sa duhet prej saj.
“Bizneset shqiptare po shihet se nuk e kanë përqafuar siç duhet Inteligjencën Artificiale. Po mundohen ta përdorin, por kjo kërkon impenjim dhe duhet t’i japim të dhëna”, shtoi ai./abcnews.al

