Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka dhënë sqarime për masat që do të merren në 25 maj për finalen e Conference League, e cila zhvillohet në kryeqytet, mes Romës dhe Feyenoordit të Roterdamit.
Në një prononcim për mediat, Nano tha se të mërkurën nuk do të ketë shtetrrethim në Tiranë, por vetëm bllokim të disa rrugëve. Kreu i policisë përsëriti se Tirana do të jetë e bllokuar për ata që duan të vijnë në kryeqytet atë ditë, duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve.
“Këto ditë është thënë që në 25 maj do ketë një shtetrrethim. Dua tu bëj me dije e tu kërkoj mirëkuptim qytetareve që data 25 do jetë ditë feste. Mos përhapim panik lidhur me shtetrrethime. Patjetër që do ketë bllokim të rrugëve. Tirana do jetë e bllokuar për ata që duan të vijnë në Tiranë.
Unë ju sugjeroj që të mos vinë në Tiranë, kush ka për të ardhur atë ditë. Do të jetë një aktivitet me masa shumë të mëdha. Policia ka sugjeruar dhe do të bëjë bllokimin e rrugëve. Do të kemi komunikime të tjera në vazhdim se cilat rrugë do të jenë të bllokuara”, tha Gledis Nano.
I pyetur nëse janë marrë masa për tifozët e Feyenoordit, të cilët njihen për trazira, kreu i Policisë së Shtetit tha: “Masat e marra deri më tani janë masa që i kanë ndarë që në ardhje të dy tifozeritë. Po kështu e fun- zone që do jenë në Tiranë, janë marrë masa që të mos lejohen dy tifozeritë të krijojnë përplasje”.
“Është e vërtetë që tifozeritë kanë dhe ultras apo tifozë me tendenca të dhunshme e huligane, por kjo është një ditë feste e duhet të jetë promovim i vlerave të qytetarëve evropianë. S’do lejojmë kurrsesi që një pakicë e vogël tifozësh që nën efektin edhe të pijeve alkoolike apo adrenalinës që shkakton sporti të prishin imazhin e vendit tone. Jemi në bashkëpunim me autoritetet e huaja me qëllim identifikimin e këtyre personave e masat do jenë profesionale që këto akte të mos ndodhin”, shtoi Nano. g.v/abcnews.al