Shteti sovran bektashi/ Gjikondi: Do jetë më tepër shtet shpirtëror se ligjor, shqiptarët të pyeten në referendum

schedule13:30 - 23 Shtator, 2024

schedule 13:30 - 23 Shtator, 2024

Juristja Brizida Gjikondi thotë se është diçka shumë e ndërlikuar që bektashinjtë të kenë shtetin e tyre ligjor, brenda shtetit shqiptar.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Gjikondi u shpreh se për ta bërë diçka të tillë, duhet të paktën që të ketë një referendum, ku qytetarët shqiptarë të japin mendimin e tyre.

Sipas Gjikondit, bëhet fjalë më tepër për një shtet shpirtëror sesa ligjor.

“Unë mendoj, është ajo që ka thënë kryegjyshi i Bektashinjve, i cili ka thënë se më shumë do jetë një shtet shpirtëror. Për të qenë shtet ligjor, është shumë e ndërlikuar. Nuk mund të krijojmë një shtet su generis. Kushtetueta e Shqipërisë nuk e njeh, patjetër që duhet një referendum. Kryeministri shqiptar e krahasoi me Vatikanin. Nuk mund të krahasojmë Vatikanin me shtetin e Bektashinjve që propozon zoti Rama. Vatikani shtrihet mbi 44 hektarë tokë, ka gjithsej 600 shtetas, është entitet shumë i rëndësishëm, i dyti vend diplomatik pas SHBA. Ka pullën e tij, Papa ka rolin e një monarku, mbreti absolut, i cili drejton gjyqësorin, administrativin, ekzekutivin. Është pushtet ekskluziv.

Është aq i fuqishëm, njihet nga shumica e vendeve të botës, merr pjesë në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare. Unë e shikoj më shumë si provokim pozitiv të kryeministrit shqiptar Rama, i cili kërkon të përdorë edhe kartën e moderimit të myslimanizmit në Shqipëri. Ne e dimë që Shqipëria ka 2.4 milionë banorë, mendohet që 200 mijë prej tyre janë bektashinj. Rama e ka pasur për t’iu treguar evropianëve, që ne nuk jemi ekstrem myslimanizmi radikal, por ne jemi në mes katolikëve, ortodoksve dhe myslimanëve., që dihet që janë bektashinj. Besoj se do të jetë një kartë që Rama do ta shfrytëzojë para Evropës, për ambiciet që ka ai, për anëtrësimin e Shqipërisë në Evropë.

E shikoj si taktikë diplomatike, sesa mendoj se mund t’i hyhet detit me këmbë, për të bërë shtet brenda shtetit. Më shumë, Rama po provokon botërisht në mënyrë pozitive. Fjala shtet është shumë e madhe. Do kushtetutën, ministritë, gjyqësorin, gjithçka. Shqipëria është shtet laik, nuk është shtet fetar. Nuk mund ta marrësh ti atë iniciativë, kur ti je shtet laik. Unë mendoj se duhet kaluar në një referendum. Është më shumë projekt shpirtëror”, theksoi ajo./abcnews.al