TIRANË– Në krahasim me privatin, në shtet paga mesatare e punonjësve është më e lartë. Kjo e dhënë dëshmohet nga Instituti i Statistikave, i cili thekson se paga mesatare në administratën publike ka arritur në nivelin e 73.6 mijë lekë.
Por si duhet analizuar ky dallim mes sektorit privat dhe atij shtetëror kur vjen puna tek fuqia për të paguar kapitalin njerëzor.
Gjatë intervistës në “Money Report”, eksperti i punësimit, Erion Muça, thotë se në sektorin privat niveli i pagës së ulët vazhdon të jetë pjesë e mentalitetit te sipërmarrjet shqiptare.
Ai theksoi se ndërmarrjet nuk e vlerësojë sa duhet punonjësit e tyre, dhe për pasojë kjo krijon një mjedis jo motivues.
“Po të investohet tek punonjësi, ai rrit eficencën dhe rezultatin në punë. Një punonjës i kënaqur mund të dyfishojë rezultatet e punës. Kërkojnë punonjës, ndërsa nga ana tjetër kanë reflektuar rritjen e pagave si një instrumente për të përfaruar punonjësit e ri dhe për të mbajtur ata që kanë, sepse kanë frikë se mund t’u largohen”, tha ai.
Ai mori në krahasim modelet perëndimore, ndërsa tha se para se të hapet një sipërmarrje, fillimisht është e obliguar të kryhen të gjitha studimet e duhura.
Sipas tij, fillimisht hartohet një biznes plan, tek i cili do të jenë të detajuara të gjitha zërat, përfshirë dhe promovimin dhe rritjen në karrierë të burimeve njerëzore.
Sipas tij, kjo qartësi dhe përllogaritje afatgjatë nuk aplikohet në Shqipëri.
“Në çdo vend perëndimor për të hapur një sipërmarrje duhet 6 muaj studim përpara. Pasi përfshin gjithçka. Ka në planet e biznesit parashikimin e investimeve dhe nxitjen e rritjes së kualifikimeve të burimeve njerëzore. Duhet të shikohen të gjitha mundësitë që ka një biznes, për të motivuar dhe incitivuar punonjësit e vet, nga muaji në muaj, nga viti në vit, dhe t’i shpërblejë ata për rezultatet që kanë në mënyrë që të vlerësohet”, tha ai./ n.m.abcnews.al