Shteti ia jep armën të kryejë detyrën, gardisti bredh lagjeve të Tiranës për të grabitur

schedule16:08 - 18 Qershor, 2020

schedule 16:08 - 18 Qershor, 2020

Është tronditës fakti se si njerëz me akses në armë dhe të dhëna sensitive për shkak të detyrës i keqpërdorin ato duke i shitur qytetarët tek grupet kriminale për qëllime përfitimi.

Arrestimi i një grupi kriminal prej shtatë personash në Tiranë dhe shpallja në kërkim e një tjetri ka zbuluar një fakt skandaloz sa i përket Gardës së Republikës dhe një banke të nivelit të dytë.

Një punonjës i gardës ka marrë pjesë në një grabitje të dështuar, ndërsa ka planifikuar edhe dy të tjera duke përdorur armën e tij të shërbimit për të kërcënuar “viktimat”.

Nga ana tjetër, punonjësi i bankës furnizon grupin me të dhëna se cili prej klientëve të tij ka lara në shtëpi duke i dërguar natën maskat për ta vjedhur.

Gjithçka është zbuluar gjatë operacionit “Mozaik”, në të cilin u arrestuan Spartak Qoku; Petro Sava; Andi Kraja, agjent kredie në një bankë; Aleks Kala, punonjës i Gardës së Republikës, i njohur si “Gyli”; Amel Hajdaraj, Klaudio Metaj, Franci Alimi, ndërsa tjetër është shpallur në kërkim.

Në të paktën dy raste, Aleks Kala i vendos në dispozicion grupit kriminal armën e tij të shërbimit në Gardën e Republikës për të kryer grabitjet, shkruan abcnews.al.

Në njërën prej këtyre, pikërisht në shtëpinë e biznesmenit Endri Mosko, gjatë tentativës për ta vrarë atë me këtë armë, shoku i Aleks Kalajt, Spartak Qoku lë një fishek nga inventari i Gardës tek ballkoni i shënjestrës së tyre.

Ngjarja
Gjithçka nis në mes të muajit maj ku grupi kishte planifikuar të kryente një vjedhje pas Spartak Qoku i kishte një shumë parash borxh një tjetër personi që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Grupi kishte informacion për tre shtëpi të ndryshme, brenda të cilave kishte para dhe drogë.

Më datë 15 maj, ata nisen të grabisin një shtëpi në Selitë ku kishin informacion se fshihej një sasi lënde narkotike kokainë prej 2.8 kilogramësh dhe një shumë e madhe parash.

Ata shkojnë në zonën e Selitës në Tiranë me makinën e gardistit Aleks Kala, i cili priste në anë të rrugës që t’i largonte nga vendi i ngjarjes pas grabitjes.

Lexo edhe: PËRGJIMET/ Si gardisti “Gyli” shkoi të grabiste “Bolin” me armën e punës, por plani dështoi dhe të gjithë u arrestuan

Fillimisht, ata marrin armën e shërbimit të punonjësit të Gardës së Republikës Aleks Kala dhe i bien derës së shtëpisë së vilës katër katëshe në Selitë me planin që kur ta hapte i zoti i shtëpisë, Franci Alimi t’ia drejtonte në kokë dhe të kryenin vjedhjen.

Por, pasi i kanë rënë derës disa herë, ajo nuk është hapur dhe të rinjtë kanë zbritur nga banesa e biznesmenit duke pritur në një lokal aty pranë, kohë të gjatë të cilës planifikuan vjedhjen e një argjendarie si edhe të shtëpisë së Endri Moskos, të njohur si “Boli”.

Por, sipas dëshmisë së Spartak Qokut, ka qenë Franci Alimi që u ka thënë që të mos shkojnë tek Argjendaria pasi alarmi do t’i zbulonte.

Kështu, të rinjtë kanë pritur mbrëmjen dhe kanë bërë një plan të tretë, tani për të vjedhur shtëpinë e “Bolit” ku kishin informacion se fshihej katër kilogram kokainë dhe para.

Sipas këtij plani, ata morën një palë shkallë dhe hipen në katin e dytë të banesës së biznesmenit duke patur me vete sërish armën e shërbimit të punonjësit të Gardës, Aleks Kala, shkruan abcnews.al.

Në momentin që i kanë rënë xhamit të dritares, ata janë dëgjuar nga bashkëshortja e Moskos, e cila ka thirrur të shoqin me të bërtitura. Me të ardhur, ky i fundit ka thyer xhamin dhe ka kapur prej fyti njërin prej hajdutëve duke u përplasur fizikisht sipas policisë me Franci Halimin dhe Spartak Qokun, ndërsa Emel Hajdarja priste poshtë shkallëve, shkruan abcnews.al.

Gjatë përplasjes, Emer Hajdaraj i thërriste Qokut nga poshtë me fjalët “Vrite, vrite”, ndërsa teksa ai ka mbushur armën, një fishek ka rënë në ballkonin e shtëpisë së biznesmenit.

Në këtë moment, “Boli” i hedh Qokun dhe Alimin nga ballkoni, ndërsa pas ngjarjes ata largohen zona me vrap.

Pas ngjarjes, “Boli” bën kallëzim në polici dhe grupi zbulohet duke u arrestuar më pas nga policia.

Sot, gjykata dha masën e sigurisë “arrest me burg” për ta, ndërsa askush nuk ka folur të paktën deri më tani se si një gardist përdor armën e shërbimit për të kryer apo planifikuar grabitje me grupet kriminale. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!