Kryeministri Edi Rama ka reaguar për arrestimin e ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hysenit, duke e cilësuar masën si “ekstreme” dhe duke theksuar se çdo akuzë duhet të hetohet deri në fund.
Rama deklaroi se arrestimi i Hysenit ka ekspozuar institucionin e SHISH-it ndaj dëmit dhe se ngjarja ka shkaktuar shqetësim te partnerët ndërkombëtarë.
Sipas tij, hetimi dhe gjykimi i Hysenit janë përgjegjësi ekskluzive e drejtësisë, ndërsa mbrojtja e SHISH-it dhe institucioneve të tjera nga dëmet e panevojshme është përgjegjësi e shtetit.
Rama tha se mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e thirrur për nesër, është një mundësi për të reflektuar mbi përgjegjësitë institucionale dhe për ta trajtuar situatën në mënyrë të përbashkët dhe serioze.
“Sapo jam kthyer nga Nju Jorku, ku siç e dini, përfaqësova Shqipërinë, në javën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Vendosa t’ju drejtohem menjëherë nga këtu, në aeroportin ‘’Nënë Tereza’’, sepse zhvillimet e ditëve të fundit, pas vendosjes së masës së arrestit shtëpiak për ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ, kërkojnë një adresim të menjëhershëm dhe të drejtëpërdrejtë. Sy më sy. Ishte padiskutim një masë ekstreme, po të mbajmë parasysh se bëhet fjalë për ekspozimin e një institucioni shumë kyç të shtetit. Po unë nuk kam as të drejtën dhe as qëllimin të hyj në përmbajtjen e dosjes, në vlerësimin e provave apo në arsyet që e kanë çuar prokurorinë ta kërkojë dhe gjykatën ta vendosë atë masë. Nuk e kam bërë në asnjë rast më parë dhe nuk do ta bëj as në këtë rast. Çdo dyshim i arsyeshëm, për këdoqoftë, duhet të hetohet deri në fund. Çdo akuzë e ngritur, ndaj kujtdoqoftë, duhet të provohet ose të rrëzohet përmes një procesi të pavarur, të paanshëm dhe të rregullt gjyqësor. Çdo masë kufizimi e lirisë nga organi i akuzës, për cilindoqoftë që nuk ka imunitet parlamentar, kundërshtohet vetem në gjykatë, jo në podiumin e Kryeministrit, as në foltoret e politikës.
Këto piketa të vijës së sjelljes sime e të shumicës qeverisëse ndaj çështjeve individuale të drejtësisë kanë qenë dhe mbeten kështu. Për të gjithë. Por nga ana tjetër, respekti për pavarësinë e drejtësisë, nuk do të thotë heshtje edhe kur një shqetësim parimor shfaqet gjatë veprimtarisë së organeve të saj. Konkretisht, në këtë rast, përveç dhe përtej çështjes penale individuale, ka një fakt tjetër parimor, shtetëror, që s’mund të anashkalohet sikur nuk ka ndodhur.
Gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të dosjes, një institucion me ndjeshmëri të veçantë për sigurinë dhe reputacionin e shtetit, u ekspozua. U ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, i cili mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht.”, tha kryeministri.

