Shtetet dënojnë talibanët për vrasjen e ish-forcave të sigurisë

schedule12:41 - 5 Dhjetor, 2021

schedule 12:41 - 5 Dhjetor, 2021

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë kanë thënë se “janë thellësisht të shqetësuar” me raportimet për vrasjet dhe zhdukjet me forcë të ish-pjesëtarëve të forcave të sigurisë së Afganistanit.

Human Rights Watch ka thënë gjatë kësaj jave se talibanët kanë “ekzekutuar ose zhdukur me forcë” mbi 100 ish-pjesëtarë të forcave të sigurisë në katër prej 34 provincave të Afganistanit, që prej se ky grup islamist mori kontrollin e shtetit në mesin e muajit gusht.

“Ne theksojmë se veprimet e pretenduara përbëjnë shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe bien ndesh me amnistinë e shpallur nga talibanët. Ne i bëjmë thirrje talibanëve që ta zbatojnë në mënyrë efektive amnistinë për ish-pjesëtarët e forcave të sigurisë afgane dhe ish-zyrtarëve qeveritarë, për të siguruar se ajo do të zbatohet në mbarë vendin”, thanë përmes një deklarate të përbashkët Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe 20 shtete të tjera.

Në një raport të publikuar më 30 nëntor, Human Rights Watch dokumentoi vrasjet apo zhdukjet e 47 ish-pjesëtarëve të forcave të sigurisë afgane, të cilët ishin dorëzuar apo ishin arrestuar nga talibanët ndërmjet 15 gushtit dhe 31 tetorit.

Kjo organizatë ka thënë se ka mbledhur informacione të besueshme për vrasjen e mbi 100 pjesëtarëve të personelit ushtarak, policisë, anëtarëve të shërbimeve të inteligjencës dhe milicisë vetëm nga provincat Ghazni, Helmand, Kandahar dhe Kunduz.

Talibanët kishin premtuar amnisti për të gjithë personat e lidhur me Qeverinë e rrëzuar në Kabul të mbështetur nga ndërkombëtarët dhe ish-pjesëtarët e forcave të sigurisë, por gjetjet e grupit për të drejtat e njeriut dhe raportet e tjera sugjerojnë se të paktën disa komandantë lokalë nuk po respektojnë këtë zotim.

Në përgjigje të raportit të Human Rights Watch, talibanët kanë thënë se kanë shkarkuar nga detyra përgjegjësit për këto abuzime, por nuk kanë dhënë informacione që do të mund të vërtetonin këtë pretendim.

Për raportin e titulluar “S’ka falje për njerëzit si ju, ‘Ekzekutimet dhe zhdukjet e dhunshme në Afganistan nën sundimin e talibanëve’”, Human Rights Watch ka thënë se ka intervistuar personalisht 40 persona në katër provinca dhe 27 të tjerë përmes telefonit, përfshirë dëshmitarë, familjarë, ish-zyrtarë qeveritarë, punëtorë shëndetësorë dhe anëtarë të talibanëve.

Human Rights Watch ka thënë se udhëheqësit e talibanëve kanë udhëzuar anëtarët e njësive të forcave të sigurisë që të dorëzohen, në mënyrë që të marrin një letër që garanton sigurinë e tyre.

Megjithatë, militantët talibanë kanë përdorur këto të dhëna për të “arrestuar dhe ekzekutuar ose zhdukur me forcë këta persona brenda ditësh pasi ata janë regjistruar, duke i lënë trupat e tyre që t’i gjejnë familjarët e tyre apo komuniteti”, është thënë në deklaratë.

Sipas Human Rights Watch, talibanët po ashtu kanë përdorur të dhënat e punësimit që ish-punëtorët qeveritarë kanë lënë pas, për “të identifikuar njerëzit në mënyrë që t’i arrestojnë dhe ekzekutojnë” dhe për të kryer operacione për “kapjen, dhe shpesh, zhdukjen me forcë të ish-zyrtarëve të dyshuar”.

Ekzekutime të tilla dhe zhdukje “kanë prodhuar frikë në mesin e ish-zyrtarëve qeveritarë dhe të tjerëve të cilët mund të kenë besuar se marrja e kontrollit nga talibanët do t’i jepte fund sulmeve hakmarrëse që ka qenë karakteristikë e konfliktit të gjatë të armatosur në Afganistan”, ka thënë Human Rights Watch.

Në deklaratën e përbashkët, shtetet perëndimore kanë kërkuar që raportimet e shkeljeve të hetohen në mënyrë transparente dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

“Këto hapa duhet të bëhen publike në mënyrë të qartë dhe të ndalen menjëherë vrasjet e mëtejme dhe zhdukjet. Ne do të vazhdojmë të gjykojmë talibanët në bazë të veprimeve të tyre”, u tha në deklaratën e përbashkët, që u publikua më 4 dhjetor.

Ende asnjë shtet zyrtarisht nuk e ka njohur qeverinë e re të talibanëve. Shtetet perëndimore po shqyrtojnë mënyra sesi të angazhohen me talibanët dhe për të adresuar situatën e rëndë humanitare në Afganistan, por shtetet perëndimore duan të shmangin çdo mbështetje të drejtpërdrejtë për qeverinë e re.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po kushtëzojnë njohjen e talibanëve me formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse dhe respektim të të drejtave të njeriut, përfshirë edhe të minoriteteve, grave dhe vajzave. Kushtet tjera përfshijnë edhe që talibanët të respektojnë amnistinë dhe të mos lejojnë që Afganistani të shndërrohet në bazë për terrorizmin ndërkombëtar. Po ashtu, kusht është edhe lejimi i shtetasve të huaj dhe afganëve, që duan të largohen nga shteti, të mund ta bëjnë një gjë të tillë./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!