Nga Xhensila Kodra
Grupet kriminale kanë sofistikuar mënyrën e mbjelljes së kanabisit gjatë fazës së parë të kultivimit, duke i mbjellë kubikët në abiente të mbyllura, apo në banesa. Jo pak herë kultivimi i tyre kryhet në bashkëpunim me punonjësit e OSHEE.
Gjatë dy muajve të fundit që policia ka nisur kontrollet në terren, janë arrestuar dhe proceduar të paktën 15 punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Ata akuzohen për shpërdorim të detyrës, me argumentin se nuk kanë kryer kontrolle të imtësishme në zonat që mbulojnë. Arrestime ka pasur në Tiranë, Shkodër, Fushë-Krujë, Durrës, Vlorë e Fier.
Tre javë më parë, edhe vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, gjatë një takimi me vartësit në Vlorë, hodhi kritika ndaj punonjësve të OSHEE-së. Tha se policia po përballet me shtëpi ku kultivohet kanabis me llamba dhe OSHEE nuk ka dorëzuar asnjë raport për këtë.
Hetuesit dyshojnë se një pjesë e punonjësve të OSHEE-së mund të jenë bashkëpunëtor me kultivuesit dhe i kanë lejuar ata të vjedhin energjinë elektrike.
Referuar statistikave të policisë, gjatë kontrolleve në terren për luftën anti-kanabis, gjatë vitit 2021 janë proceduar 165 zyrtarë vendorë, si administratorë të njësive, punonjës të sektorit pyjor dhe të OSHEE, si dhe kryepleq fshatrash. Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi.
/abcnews.al