Nga Simon Shkreli
Zona periferike e njohur si Livadhet në Shkodër prej 20 ditësh është nën ujë. Banorët mund të hyjnë dhe dalin nga banesat e tyre me vështirësi. 10 shtëpi janë përmbytur. Kjo është banesa e familje Lajthia. 5 pjesëtarët e saj po jetojnë mbi ujë. Më të vështirë e ka gjyshja e shtëpisë Agia. Nuk lëviz nga shtrati pasi është e paralizuar. “Lëviz deri në banjë, diabet kam me zemrën jam, e paralizuar jam. Pi 4 herë në ditë ilaçe” tha ajo.
I zoti i shtëpisë Prel Lajthia thotë se u larguan për pak po u kthyen sërish pasi banesa nuk mund të lihej vetëm. Ndërkaq e vetjma ndihmë që kanë marrë nga bashkia është ushqimi i bagëtive. “Këtu është çdo gjë e përmbytur uji ka depërtuar rreth 20 cm brenda në shtëpi ndërsa në oborr deri në 50 cm. Vihet re së në këtë shtëpi nuk mund të jetohet”.
Teksa na tregon rrugën që duhet të ndjekim për të dalë nga uji Prela tregon se po sakrifikon shumë për famijen e tij. “Fëmijët me furgon i dërgoj në shkollë i nxjerr në rrugë dhe jap pagesë. Unë herë punoj herë jo jam dhe i sëmurë. E kam lënë pas dore vetën time”.
Ndërkaq shtabi i emergjencave në Shkodër raporton se prezencë uji ka ende në 121 banesa në Dajç ndërsa në Obot vetëm në 2 banorët e të cilëve janë evakuuar. Nën ujë janë dhe rreth 4000 hektarë tokë nga të cilat 2905 hektar të mbjella me foragjere dhe jonxhë. Ndërsa 160 hektarë janë me grurë.
DËMET NGA PËRMBYTJET NË QARKUN SHKODËR
Banesa me prezencë uji:
-121 në Anën e Malit
– 2 në Obot
Sipërfaqe toke e përmbytur:
- Tokë e pakultivuar 795 Ha
- Foragjere të dyta, jonxhe 2.905 Ha
- Grurë 160 Ha
- Bimë Dekorative 102 Ha
- Pemtore 40 Ha
db/ Abcnews.al