Shtëpia e Bardhë bëri të ditur përmes një deklarate për shtyp se Turqia do të pushtojë veriun e Sirisë. Por në një reagim, Ankaraja premtoi se do të dëbojë terroristët kurdë nga zona. Uashingtoni u shpreh i shqetësuar për fatin e luftëtarëve kurdë, aleatë të SHBA në luftën kundër ISIS.
Turqia është gati të pushtojë veriun e Sirisë. Deklarata u bë nga Stefani Grisham, përgjegjëse për komunikimin në Shtëpinë e Bardhë duke theksuar se Uashingtoni ishte shumë i shqetësuar për të ardhmen e luftëtarëve kurdë aleatë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftën kundër Isis.
Konfirmimi i operacionit në veri lindje të Sirisë erdhi pas një bisede telefonike mes presidentit turk Erdogan dhe atij amerikan Donald Trump.
Në deklaratën për shtyp të Shtëpisë së Bardhë theksohet se trupat ushtarake amerikane nuk do të mbështesin dhe as nuk do të përfshihen në këtë operacion. Madje as nuk do të jenë më të pranishëm në zonë pra në very të Sirisë.
Nuk është e qartë nëse kjo nënkupton se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të tërheqin rreth një mijë ushtarët të pranishëm në zonë.
Një hipotezë ajo e tërheqjes së trupave ushtarake amerikane, që u hodh nga kreu i Shtëpisë së Bardhë dhe në dhjetor por që u prit keq nga pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar.
Sipas këtij të fundit tërheqja do të shkaktonte braktisjen e kurdëve në duart e ushtrisë turke. Deklarata në atë kohë shkaktoi dorëheqjen në shenjë proteste të sekretarit amerikan të mbrojtjes në atë kohë Xhim Matis dhe një përpjekje të këshilltarit të atëhershëm për sigurinë kombëtare Xhon Boltin për të mbrojtur kurdët.
Shtëpia e bardhë tashmë pohon se Turqia do të marrë në mbrojtje luftëtarët e huaj të kapur nga shtetet e bashkuara të amerikës e që mbahen nga forcat kurde të mbështetura nga amerikanët.
Ambasadori amerikan James Jefrey, i dërguari i departamentit amerikan të shtetit në koalicionin ndërkombëtar anti Isis, dhe vetë Trump, pohuan se janë rreth 2500 luftëtarë të huaj të burgosur, të cilët shtetet e bashkuara të amerikës duhet t’i dorëzojnë në vendet europiane në mënyrë të vecantë në Francë dhe Gjermani.
Në një mesazh në profilin e tij Twitter ministri i jashtëm turk Cavusoglu u shpreh se që nga fillimi i krizës në Siri, Turqia ka mbështetur integritetin territorial të këtij vendi dhe do të vazhdojë ta bëjë. Ai theksoi se Ankaraja është e vendosur të sigurojë mbijetesën dhe sigurinë e vendit duke çliruar rajonin nga terroristët.
Prej muajsh presidenti turk Erdogan kërcënon se do të urdhërojë një sulm ushtarak kundër forcave kurde në veri të Sirisë, ku ai mendon se fshihen shumë terroristë.
Në kongresin amerikan si republikanët ashtu dhe demokratët paralajmëruan se një iniciativë e tillë do të vendoste në rrezik forcat kurde që deri tani kanë mbajtur peshën më të rëndë në fushatën ushtarake kundër shtetit islamik. Gjithashtu do të dërgonte një mesazh të rrezikshëm për aleatët amerikanë në të gjithë botën./ABC News Albania 24/7