Shtëpia e Bardhë po shqyrton mundësinë që vizitorëve të huaj t’u kërkohet dëshmi vaksinimi

schedule12:44 - 6 Gusht, 2021

schedule 12:44 - 6 Gusht, 2021

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se shqyrton mundësinë që vizitorëve të huaj t’u kërkohet dëshmia e vaksinimit për të rifilluar udhëtimet ndërkombëtare, që janë ndaluar apo u nënshtrohen kufizimeve.

Bashkërenduesi i Shtëpisë së Bardhë për COVID-19, Jeff Zients, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se shume agjenci federale po e shqyrtojnë këtë mundësi.

Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë një afat kohor për rifillimin e udhëtimeve ndërkombëtare, duke pasur parasysh përhapjen e variantit delta të koronavirusit, që shkakton sëmundjen e COVID-19.

Shtetet e Bashkuara vendosën fillimisht kufizime udhëtimi nga Kina në janar të vitit 2020. Që atëherë, disa vende të tjera, përfshirë Indinë dhe shumë vende në Evropë, janë përballur me kufizime të ngjashme.

Dy çështje me të cilat përballet ky plan janë se çfarë do të pranohej si provë e vaksinimit dhe nëse Shtetet e Bashkuara do të pranonin dokumentacionin nga ata që kanë marrë vaksina që nuk janë miratuar në SHBA.

Ndërkaq në kufirin me Meksikën ku ka një numër rekord të emigrantëve që përpiqen të kalojnë kufirin, prova e vaksinës nuk kërkohet para se emigrantët të lihen të lirë në Shtetet e Bashkuara.

Washington Examiner, shkroi se gjatë javës së fundit të korrikut, rreth 7,000 emigrantë u liruan në qytetin kufitar McAllen ne Teksas, nga të cilët 1,500 dolën pozitiv në testin për COVID-19.

Washington Post, shkroi se administrata e presidentit Joe Biden po harton plane për të vaksinuar emigrantët./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!