Nga të gjitha vendet që përpiqen të ndërhyjnë në zgjedhjet e SHBA-së, Kina ka programin më të madh dhe luan rolin më aktiv, tha Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-ve, Robert O’Brian.
Inteligjenca amerikane ka zbuluar se Rusia zhvilloi një fushatë kibernetike për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve në 2016 në favor të republikanit, Donald Trump. Madje kishte raporte që tregonin se hakerat mund të ndikonin edhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Moska ka mohuar çdo ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016.
“Ne ua kemi bërë shumë të qartë kinezëve, rusëve, iranianëve dhe të tjerëve, se kushdo që përpiqet të ndikojë në zgjedhjet amerikane do të duhet të përballet me pasoja të tmerrshme”, tha O’Brian.
Kina ka mohuar me këmbëngulje pretendimet e qeverisë amerikane se ka tentuar të hakojë kompani amerikane, politikanë ose agjenci qeveritare. Në fillim të gushtit, Drejtori Kombëtar i Sigurisë së SHBA William Evanina tha, se sipas vlerësimeve të komunitetit të inteligjencës amerikane, Kina po përpiqej që Donald Trump të humbiste në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në nëntor.
Zgjedhjet presidenciale amerikane do të mbahen më 3 nëntor, ku republikani dhe presidenti aktual, Trump do të ballafaqohet me demokratin, Joe Biden.s.ba/abcnews.al