Shtëpi vetëm me kredi, rekord huaja e bankave në 10 vite

schedule15:43 - 29 Maj, 2022

schedule 15:43 - 29 Maj, 2022

Nga Erblina Mile

Kriza e çmimeve duket se nuk ka stepur shqiptarët  për blerjen e një shtëpie. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë  vetëm gjatë muajit mars janë marrë hua  rreth 5 miliardë lekë për  blerjen e një banese. Ky rezulton se është niveli më  i lartë në  dekadën e fundit.

Nëse e krahasojmë me një  vit më parë vërehet një rritje me të paktën 2 miliard lekë. Banka Qendrore thekson se kërkesa e lartë për kredi për  blerje banese, ka bërë që bankat t`i financojnë individët me ritme të larta dhe niveli i huasë për individë është zgjeruar me 16.3%. Përtej kërkesës, në shtimin e nivelit të kreditimit për blerje banesash ka ndikuar edhe konkurrenca e shtuar mes bankave duke bërë që standardet e kreditimit të jenë lehtësuese ndërsa  normat e interesit në nivele të ulëta.

Sipas të dhënave në tre muajt e parë të këtij viti është konstatuar  rritje e kreditimit në valutë për individët, e cila për herë të parë në vitet e fundit u rrit më shumë se sa  ai në  lekë.  Kështu,  kredia  në  valutë  u  rrit  mesatarisht  me  17.4%  vit   ndërsa në lekë 14.7%.

Por pavarësisht kësaj 65 % e totalit të huave për individë janë në lekë e ndikuar kjo edhe nga të ardhurat të cilat i kanë kryesisht në këtë monedhë.

Norma mesatare e interesit për kreditë në lekë për individët u rrit lehtas këtë tremujor, duke shënuar 6.5% nga 6.0% që ishte një tremujor më pare duke i bërë kreditë në lekë më të shtrenjta . Kjo si pasoje e rritjes së normës së interesit nga Banka e Shqipërisë. /abcnews.al