Festa e shtegtarit tashmë është kthyer në traditë në Lezhë. Prej 15 vitesh kujtohet sakrifica e emigrantëve.
Ata që janë kthyer për pushime në Lezhë ndanë mes emocioneve eksperiencat e tyre.
“Është bërë kohë që nuk kemi ardhur prej Covidi-t. Është shumë mirë, njerëzit janë të mirë”, u shpreh një qytetar.
“Është shumë bukur të vish në vendlindje, ne jetojmë jashtë prej 20 vitesh. Por politika po e përçan këtë popull dhe e shtyn që të largohet dhe këtu mungon zhvillimi”, shprehet një tjetër qytetar.
Teksa Kryetari i bashkisë, Pjerin Ndreu ftoi emigrantët që të rikthehen e të investojnë në vend, ju foli dhe për investimet në qytet.
“Zhvillimi i Lezhës ka vazhduar vrullshëm dhe çdoherë që do të vini në Lezhë, do të shikoni një Lezhë akoma më të mirë dhe më të bukur”, tha Ndreu.
Ndërsa prefekti i qarkut Lezhë që ka iniciuar këtë festë ju dha një mesazh emigrantëve.
“Festa për shtegtarët e nisur po në këtë shesh me 15 gusht 2006, u kthye në një traditë që sot duhet kaq shumë. Emigrantët kanë dhënë japin dhe do të japin kontributin kryesor në bërjen e këtij vendi”, tha ai.
Në këtë aktivitet që populloi Sheshin Gjergj Kastroiti u vlerësuan edhe emigrantët që kanë histori suksesi në vendet ku kanë jetuar.
“Mesazhi im është që të mos e braktisim këtë vend kaq të mrekullueshëm”, u shpreh ai.
Ndërsa atmosfera festive vijoi me interpretimin e këngëtares Aurela Gaçe./abcnews.al/