Shtanga dhe boksi sollën medalje, Qerimaj: Synoj Olimpiadën e Parisit

schedule23:55 - 30 Dhjetor, 2021

schedule 23:55 - 30 Dhjetor, 2021

Peshëngritja si gjithmonë edhe sivjet ishte një nga sportet që nderoi Shqipërinë. Pak ditë më parë Briken Calja siguroi medaljen e artë në stilin e shkëputjes dhe nënkampion bote në dygarësh. Një paraqitje shumë të mirë bëri edhe peshëngritësi tjetër shqiptar, Erkand Qerimaj që u rendit në vendin e 4-të. Mbrëmjen e sotme Erkand Qerimaj i ftuar në “Log.” rrëfeu sakrificat për të arritur atë rezultat.

Vendi i katërt në botëror është rezultati më i mirë në karrierë për të rriturit, se për të rinjtë kam dalë edhe kampion. Unë jam i kënaqur. Unë dola i katërti në botë me një kg diferencë me vendin e tretë, është një rezultat fantastik për sportin shqiptar dhe sakrificës që bëra duke rënë 10 kg

Eliminova ëmbëlsirat, brumërat, ushqehesha me perime, mish peshk. Ndonjëherë eliminoja edhe pjesën e darkës. Ditët e fundit rashë me sauna. Tre kg i kam hequr ditët e fundit. Pesha 73 kg është pesha ime dhe aty do të garoj” tha ai.

Por cili është objektivi i tij? Erkand Qerimaj synon Lojërat Olimpike të Parisit. “Objektivi im. Nuk është çudi që të flas për Parisin. Unë synoj për 2022 që në Europianin në Bullgari të arrij në tre vendet e para. Nëse synoj për treshen e Europës, Mesdhetaret dhe Botërorit, Parisi (lojërat olimpike) është i padiskutueshëm. Sportin e kam filluar në ’97 në Shkodër. Prindërit nuk më çuan për t’u bërë kampion, por për të më larguar nga rruga” tha ai.

E ftuar në studio, atletja Luiza Gega shpalosi objektivat për Vitin e Ri. “Kemi një vit shumë të ngjeshur me aktivitete. Do të filloj me Botërorin e sallave të mbyllura. Në garën e 3 mijë metrave, synimi është në “top-6”. Objektivi kryesor këtë vit është Botërori i sallave të hapura dhe lojërat Mesdhetare. Kam akoma për të dhënë, nuk i kam arritur akoma limitet e mia”.

Ajo u ndal edhe te pista e re. “Jam shumë e lumtur që Tirana do të ketë pistën e saj. Sepse kjo do i shërbejë shumë sportit dhe të gjithëve atyre që e praktikojnë. Kemi kaq shumë vite që ngulmojmë” tha ajo.

Sead Bushati, trajneri i Alban Beqirit komentoi paraqitjen e jashtëzakonshme të boksierit kuqezi në Kampionatin Botëror të Serbisë ku u kthye me medalje të bronztë.

Suksesi i Albanit ishte suksesi më i madh në historinë e boksit shqiptar dhe sportit në tërësi. Fitoi katër ndeshje në nivel shumë të lartë. Objektivi? Kemi Europianin në 2022-shin, shpresojmë zonën e medaljeve. Synimi i madh është Olimpiada e Parisit 2024” tha ai./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!