Në një intervistë në “Faqja 4”, në ABC News shqiptari Emiliano Abedini nga “Univizion Chicago”, foli për rrugëtimin e tij në Amerikë, largimin nga Shqipëria dhe se si arriti me shumë punë të merrte një çmim “Emmy”.
“Për mua ishte një fitore e madhe, një emocion përmbushje dhe kënaqësi sidomos në një kohë kaq të shkurtër. Është një çmim fokusuar tek pjesa e dokumentarëve, prodhimit televiziv, më shumë i fokusuar tek pjesa e gazetarisë. Ishte një histori me temë “abuzimi në një çerdhe”, u shpreh ai.
Gjithashtu ai tregoi se investigon zona në Chicago, duke thënë se lidhur me çështjen që kanë ndjekur kanë pasur intervista vetëm nga prindërit. Më tej u shpreh se në fillim kur vjen në Chicago dhe sidomos kur shkon të raportosh në disa zona, sheh situata edhe të dhimbshme, ndryshe nga çfarë mund ta kesh menduar.
“Jemi të lumtur që ky lajm u prit mirë dhe patëm hapësira për të folur”, u shpreh ai.
Gjatë kësaj interviste rrëfeu edhe detaje nga shpërngulja e tij në Amerikë.
“Mund të them që kanë qenë një nga lëvizjet më të bukura dhe falë bashkëshortes time që më solli me anë të lotarisë. Ndihem shumë me fat që me anë të punës mund ta nisësh nga zero dhe arrin të një nivel të barabartë me njerëz që kanë shumë vite në atë industri. Në Shqipëri kam pasur mundësi të shkoj në çdo cep të vendit dhe jam shumë krenar për vendin që kemi. Por ideja që Shqipëria arrin të të çojë deri në një nivel dhe nëse ke dëshirë të zhvillohesh dhe të rritesh më shumë nuk është asgjë e keqe të largohesh. Nëse në një të ardhme mund të kthehem këtë nuk e di akoma, por tani këtu jam shumë i lumtur, tha më tej shqiptari Emiliano Abedini.
Më tej Abedini tregoi se Komuniteti i Shqiptarëve në Chicago tregojnë një mbështetje shumë të madhe.
“Që në momentin e parë më kanë hapur dyert dhe më kanë bërë pjesë e atij grupi”, shtoi ai.
/abcnews.al/


