Raportet mes shqiptarëve dhe serbëve vazhdojnë të jenë të tensionuara, vite pas luftës në Kosovë. Por në një fshat të Prishtinës politika, problemet etnike dhe dallimet fetare midis fqinjëve nuk ekzistojnë. Për shumë vite Fadil Rama ndihmon një të moshuar serbe 92 vjeçare që jeton e vetmuar dhe pa përkujdesje. Kështu ai po nderon sikur të ishte nëna e tij, gruan që thotë se e trajtoi si fëmijën e saj, gjatë dhe pas luftës.
Blagica Diçiç, është një e moshuar 92 vjeçare që jeton e vetme në një fshat të largët në lindje të Kosovës, e braktisur nga të gjithë fqinjët e saj serbë. Ajo jeton në një shtëpi të dëmtuar në malet e fshatit Vaganesh, 45 kilometra larg kryqytetit të Prishtinës. Atë nuk e viziton asnjë familjar i saj.
“Jam e vetmuar. Djali im Djordje është në Beograd, shumë larg. Slobodani, djali tjetër, është në Kamenicë dhe ka gruan e sëmurë”, thotë zonja Diçiç.
Ajo thotë se Djordje nuk ka një dhomë për të në Beograd ndërsa djali i vogël që jeton në Kamenicë kujdeset për gruan e paralizuar prandaj nënën e takon shumë rrallë. Është Fadil Rama, shqiptari që jeton një kilometër larg në fshatin Strezovcë, ai që kujdeset për të.
Askush nga autoritetet lokale, shqiptare apo serbe, nuk kanë ofruar ndihmë për zonjën Diçiç.
E moshuara serbe nuk e mban mend kur ishte hera e fundit që pa djalin e saj Djordjen, por ajo e quan Fadilin djalin e tretë të saj. “Më ndihmon të ha dhe pi, edhe pse është e kotë sepse unë nuk mundem as të ha e as të pi”, thotë zonja Diçiç, ndërsa është e shtrirë në krevat dhe e mbuluar me dy batanije.
Ndërsa dimri afron, shëndeti i saj përkeqësohet. Të gjithë serbët që jetonin në fshatin Vaganesh para luftës së viteve 98-99 janë larguar. Rreth 50 shtëpi të brakstisura po shkatërrohen ngadalë.
I fundit që u largua nga fshati ishte djali i zonjës Blagica, Slobodani. Zoti Rama mban kontakt të vazhdueshëm me të për ta informuar rreth shëndetit të nënës.
“Ajo ishte grua aq e mirë gjatë dhe pas luftës, duke na trajtuar si fëmijët e saj”, thotë shqiptari që është pronar i një dyqani të vogël ushqimesh. Ai e njeh zonjën Diçic që kur ishte fëmijë. Ajo u jepte sheqerka fëmijëve të Strezovcit edhe gjatë luftës. “Kur e pashë që ngeli e vetme u ndjeva shumë keq dhe mendova që t’ia kthej të mirat”, shton ai. Zonja Diçiç merr 60 euro në muaj si pension, shumë kjo e pamjaftueshme për të.
Që nga marsi kur shpërtheu pandemia, zoti Rama sjell ushqime për të dy herë në javë. Ai nuk pranon asnjë ndihmë financiare nga askush, sepse nuk do të lërë përshtypjen se po e ndihmon për përfitime.
Një herë në muaj ai mundohet të pastrojë dhomën dhe rrobat e saj. Rama ndez sobën të cilën zonja Blagica nuk mund ta ndezë vetë dhe qëndron për të përgatitur një gjellë për të.
Shqiptari nuk frikësohet se ndihma e tij mund të shkaktojë probleme etnike apo fetare, meqenëse është një mysliman shqiptar që ndihmon një grua ortodokse serbe. Më shumë se 20 vite pas luftës, raportet mes shqiptarëve dhe serbëve janë të tensionuara, edhe pas fillimit të bisedimeve në Bashkimin Evropian më 2011. “Në fshatin tim të gjithë më kanë mbështetur që po kujdesem për një serbe të moshuar sikur të ishte e jona”, thotë zoti Rama.
Pasi mësuan veprimet e tij, disa barinj lokalë vazhdimisht kontrollojnë gjendjen e të moshuarës serbe. “Asnjëherë nuk na ka interesuar politika e Beogradit apo e Prishtinës. Ne gjithmonë kemi ndihmuar njëri-tjetrin. Por përsëri, politika e Beogradit e shkatërroi atë. Autoritetet paralele serbe kishin thënë se do t’i sillnin ushqim dhe se nuk ka nevojë për ndihmën e Fadilit. Por nuk kemi dëgjuar prej tyre, prandaj unë sjelli ushqime sepse ata nuk kanë ardhur fare. Këto janë gënjeshtra. Ata nuk sollën asgjë”, thotë Fadili.
Ai i ka dhënë fjalën Sllobodanit se do të kujdeset për nënën e tij deri në vdekjen e saj VOA
*Titulli është redaksional*
/mv.abcnews.al