Ardijan Gjokaj, ish-sulmuesi anësor nga Tuzi, ka luajtur me Jugosllavinë U21. Karriera e tij ka qenë e pasur, pasi ka luajtur edhe në Gjermani, Turqi dhe Spanjë. Gjokaj tani është pjesë e Crvena Zvezda si drejtor sportiv, ndërkohë që më parë edhe ka luajtur për këtë ekip.
Në emisionin “Fan Zone” ai tregoi një ëndërr të madhe, të takojë Igli Taren dhe të ndajë mendime me të në lidhje me futbollin. Gjokaj ka zbuluar se në të shkuarën është kontaktuar për të luajtur me Shqipërinë.
“Oto Baric më ka marrë në telefon kur luaja në Gjermani. Kam qenë te Koblenz atëherë. Kisha sezon fantastik, shënova 12 gola si mesfushor. Folëm për 15 minuta. Më tha që kishim problem me shënimin e golave. Më pas nuk më ka kontaktuar njeri. Do kisha luajtur me qejf për Shqipërisë, pse jo”.
Kur ishte fëmijë, ai shiste paketa dhe e pranon diçka të tillë pa asnjë lloj ndrojtje. “ Fëmijë kam qenë si gjithë të tjerët. Kemi jetuar nga cigaret dhe i blinim në Shqipëri. I shisnim në Tuz. Më janë dashur lekët të ha bukë, të blej këpucët. Kam qenë shumë i vogël, isha 63 kilogramë dhe thoshin që nuk luaj dot. Futbollin e kisha prioritet. Babai më kë qëndruar pranë dhe më ka ndihmuar shumë”.
Gjokaj në vitin 2001 ka qenë pranë kalimit te Vllaznia: “Kam qenë shumë kohë më parë. Kisha probleme me Buducnostin. Atëherë ishte president Myftar Çela. Po bisedoja edhe me Crvena Zvezdën. Vllaznia ishte kampion dhe më donte në ndeshjet e Europës. Janë gati 20 vite më parë. Ishte njeri korrekt dhe e kam falënderuar, por isha pranë Crvena Zvezdës”. /abcnews.al