Shqiptarët tërheqin kursimet për të përballuar jetesën

schedule15:54 - 30 Maj, 2022

schedule 15:54 - 30 Maj, 2022

Nga Erblina Mile

Qytetarët shqiptarë kanë vijuar të tërheqin paratë e depozituara në banka. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë edhe në muajin prill ka pasur një ulje të nivelit të kursimeve sidomos të atyre në lekë. Tërheqja e depozitave është një trend që ka nisur që në fillim të vitit por ka qenë më e fortë gjatë muajit mars si pasojë e shtrenjtimit të kostove të jetesës. Kriza e çmimeve duket se ka detyruar individët por edhe bizneset që të përdorin kursimet që ata mbajnë në bankë për të mbuluar shpenzimet më të domosdoshme.

Që prej muajit mars çmimet e karburanteve dhe të ushqimeve kanë shënuar një shtrenjtim rekord .Statistikat tregojnë se në prill kursimet në lekë u reduktuan me rreth 0.6% duke arritur vlerën 538 miliardë lekë .Kjo është vlera më e ulët që prej janarit të këtij viti kur depozitat në banka rezultonin 552 miliardë lekë. Në këtë mënyrë kursimet e shqiptarëve në monedhën kombëtare  janë ulur me më shumë se 14 miliardë lekë vetëm në 4 muaj.

Ky fenomen ndodh në një kohë që banka e Shqipërisë ka rritur normën bazë të interesit  fakt që do të ndikonte direkt në fitime më të mëdha për qytetarët dhe bizneset që kanë të depozituara lekë në banka. Ndërkohë depozitat në euro kanë pësuar një rritje modeste gjatë muajit prill të këtij viti duke arritur nivelin e 690 miliardë lekëve ose 4 miliardë më shumë nëse e krahasojmë me një muaj më parë. Në total kursimet e shqiptarëve në banka arrijnë në rreth 10 miliardë euro duke shënuar një rritje të lehtë në muajin prill e ndikuar nga depozitat në monedhë të huaj , pas tkurrjes së fortë për dy muaj radhazi. /abcnews.al