Shqiptarët, të interesuar për kredi në lekë/ Nunaj: Ndikim ka pasur kursi i këmbimit dhe kredia më e lirë në monedhën kombëtare

schedule14:26 - 2 Korrik, 2024

schedule 14:26 - 2 Korrik, 2024

Qytetarët shqiptarë por edhe bizneset po preferojnë gjithmonë e më shumë që të marrin kredi në monedhën vendase. Banka e Shqipërisë thotë se gjatë vitit të kaluar për herë të parë huaja në lek ka tejkaluar atë në valutë duke pësuar një rritje me 4 për qind.

Ekspertja për ekonominë Teuta Nunaj, në një intervistë për “Money Report”,u shpreh se kanë ndikuar dy faktorë.

“Është rrjedhojë e situatës aktuale të tregut shqiptar. Duke pasur një kurs këmbimi në favor të lekut, dhe interesi i qytetarëve ka ndryshuar. Por me interes është fakti se kredia në lekë është më e lirë se në euro. Këto janë dy faktorët bazë që kanë ndikuar. Normat e interesit janë ulur dhe Banka Qendrore Evropiane ka ulur normën e interesit me 0.25 përqind. Elementi i dytë që ndikon është se kreditë bëhen më të mira. Kur kishim të bënim me krizë më të madhe, para 2-3 vitesh, rritja e inflacionit i detyroi bankat në vendet përkatëse që të ndikonin në uljen e normës së inflacionit dhe bënin rritje të interesit. Dhe kjo e shtrenjtoi kredinë”, u shpreh Nunaj.

Duke u ndalur te ulja e normës së interesit nga Banka Qendrore Evropiane dhe nëse duhet të zbatohet edhe në Shqipëri, Nunaj shtoi:

“Mendoj se po. Në analizat që kemi bërë dhe përpara se Banka Qendrore të dilte me një vendimmarrje, Banka parashikon se mund të ketë sërish një ulje të normave të interesit për shkak se kemi sërish rënie të inflacionit. Pati rënie të inflacionit përtej një parashikimi por për të mbrojtur tregun dhe shmangur këtë luhatje, ka një kohë vëzhgimi nëse kjo rënie e inflacionit ka ndodhur si pasoje e kushteve reale apo ka qene vetëm një rast. Dhe Banka Qendrore Evropiane po e studion dhe pritet që të dalë me një vendim të dytë. Edhe nëse do ketë ulje të inflacionit, në tregun shqiptar më shumë veprojnë në mënyrë të menjëhershme për të rritur normat e interesit por është më pak e mundshme të ndodhë kur ndodh pjesa e uljeve. Shpresoj që Banka Qendrore të sjellë ulje të normës së interesit dhe të zbatohet në treg.”/abcnews.al