Nis të hënën, Samiti 3-ditor i Diasporës Shqiptare. Në një intervistë për emisionin “NewsRoom” në ABC News, Anila Hyka anëtare e KKD, u shpreh se ky Samit është i rëndësishëm për zhvillimin e vendit, pasi i jep një “hov të rëndësishëm” angazhimit të Diasporës Shqiptare.
“Ne si diasporë në vende të ndryshme po shohim një bashkim më të madh dhe kur je i unifikuar të marrin më shumë seriozitet,” u shpreh ajo, duke nënvizuar rëndësinë e organizimit dhe bashkëpunimit.
Sipas saj, Diaspora shqiptare mund të japë kontribut të rëndësishëm në shumë fusha, veçanërisht duke shfrytëzuar mundësitë që ofron teknologjia moderne.
Ajo shtoi gjithashtu se shqiptarët e Diasporës janë të integruar në vende të ndryshme të Europës dhe përfaqësojnë potencial të madh profesional në fusha të ndryshme.
Në fokus të diskutimeve, sipas saj, mbeten edhe diplomacia dhe ekonomia, si dy sektorë ku diaspora mund të luajë një rol kyç në forcimin e imazhit dhe zhvillimit të vendit.
“Ky Samit është i rëndësishëm edhe për zhvillimin e vendit, pasi i jep një hov të rëndësishëm. Sfida është bindja e çdo shteti që të japë votën dhe bindja vjen nga një strategji shumë e mirë ku të gjithë të luajnë rolin e tyre. Pra duhet një koordinim i mirë. Ne si Diasporë në vend të ndryshme po shikohet një bashkim më i madh, dhe në gjithë këto pjesë, kur je një të marrin me më shumë seriozitet. Po ashtu Diaspora mund të japë kontribut sot në shumë fusha, edhe me mundësitë që të jep teknologjia. E kemi treguar me fakte se janë të integruar në Europë. Pra i kemi në të gjitha fushat dhe me fakte që ka njerëz të përgatitur dhe këtë do të duhet ta nxjerrim më në pah. Pjesa e diplomacisë, po ashtu edhe pjesa e ekonomisë është me rëndësi”, tha mes të tjerash ajo.
/abcnews.al/


