SHQIPËRI- Sigurimet për jetën kanë pësuar një hov gjatë këtij viti. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes financiare tregojnë se qytetarët shqiptarë kanë shpenzuar më tepër për të siguruar jetën.
Primet nga sigurimet të jetës gjatë periudhës janar-prill 2025, arritën në rreth 730 milionë lekë, ose 10.55 % më shumë se në janar-prill 2024.
Një pjesë e konsiderueshme e këtij zëri lidhet edhe me sigurimin e detyrueshëm të jetës për shkak të marrjes së kredive për blerje banese. Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 90.43% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 9.52%.
Sigurimi i detyrueshëm motorik vijon të ketë rritje dhe gjatë 4 muajve të parë të këtij viti arriti në 4,6 miliardë lekë, ose 14.26% më shumë se në janar-prill 2024.
Ndërkohë që me rënie të konsiderueshme kanë rezultuar sigurimet për pronën apo shëndetin. Sipas të dhënave zyrtare në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë janar-prill 2025, vihet re një ulje me gati 10% të të këtij portofoli.
Ndërsa Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë janar-prill 2025, arritën në rreth 460 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 9.58% në krahasim me janar-prill 2024.
Ndërkohë që në katër muajt e parë rezulton se kompanitë e sigurimeve kanë paguar më pak detyrime për aksidentet në krahasim kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë./abcnews.al