Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë një konference për shtyp në Shkup me homologen e tij, Gordana Siljanovska-Davkova, vlerësoi rolin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si shtetformues dhe faktor kyç për stabilitetin politik.
Ai theksoi se shqiptarët dhe maqedonasit përbëjnë një urë të fortë bashkëpunimi mes dy vendeve, ndërsa nënvizoi rëndësinë e përfaqësimit të drejtë, zbatimit të ligjit për gjuhën shqipe dhe ruajtjes së mekanizmave të barazisë.
Begaj u ndal gjithashtu te integrimi europian si projekt i përbashkët strategjik, duke theksuar mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.
“Shqiptarët këtu janë shtetformues, janë bashkëpunues. Faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut ka qenë, është e do të vijojë të jetë një faktor shtetformues, bashkëpunues, përfshirës, konstruktiv, dhe demokratik. Shqiptarët dhe maqedonasit një urë e fortë për bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Përfaqësimi i drejtë dhe dinjitoz, dhe zbatimi i ligjit i gjuhës shqipe dhe ruajtja e mekanizmave të barazisë, nuk janë vetëm çështje teknike.
Ne në jetën tonë mësojmë nga mësimet e së shkuarës dhe koha na ka mësuar se çdo vendimmarrje e balancuar është shumë e domosdoshme për etnitë. Të nderuar pjesëmarrës, folëm gjithashtu për integrimin europian, i cili është një projekt i përbashkët dhe drejtim strategjik i gjithë rajonit tonë. Për ne është i rëndësishëm integrimi, të mbyllim kapitujt deri në vitin 2027 dhe të jemi anëtarë deri në vitin 2030. Ne duhet që të punojmë së bashku dhe Shqipëria mbështet Maqedoninë në këtë rrugë të integrimit”, tha Presidenti Begaj.


