Kush janë shqiptarët në offshore? Gazetari flet për “ABC”: Indiciet që kemi dhe kërkesa e SPAK-ut

schedule19:40 - 7 Tetor, 2021

schedule 19:40 - 7 Tetor, 2021

Konsorciumi ndërkombëtar i gazetarëve investigativë (ICIJ) dhe një grup prej 150 mediash zbuluan pak ditë më parë se 330 zyrtarë publikë në të gjithë botën, mes tyre politikanë të niveleve të larta kanë lidhje me llogaritë offshore.

Gazetari Besar Likmeta i “BIRN”, që është pjesë e konsorciumit ndërkombëtar që zbuluan dosjen e “Pandora Papers” në një bisedë me gazetaren Jonida Shehu në “Radarin Informativ” u shpreh se shpreson që shumë shpejt të bëhen publike të dhëna të tjera për politikanin shqiptar që është në listë, por edhe 13 kompanitë.

Ne shpresojmë që të bëjmë më shumë të dhëna publike me kalimin e kohës. Kjo kërkon hetim gazetaresk. Kemi një seri indiciesh për qytetarë shqiptarë që kanë lidhje me kompanitë offshore, do i bëjmë publike kur të jemi të bindur se ka mjaftueshëm fakte.

Faktet janë vetëm një pjesë e tablosë për një ngjarje që ka ndodhur që mund të jetë i dyshimtë ose jo. Në institucionet brenda Shqipërisë është vështirë të marrësh informacion por kjo nuk është një qasje vetëm në Shqipëri” tha ai.

Ai zbuloi edhe bisedën me kreun e SPAK-ut, Arben Kraja për këtë çështje. “Kam pasur një telefonatë me drejtuesin e SPAK, po vlerësojnë dokumentet. Detyra jonë është të marrim informacion dhe ta filtrojmë. Unë i thasë; çdo gjë që mund t’ju thosha do ta them në televizion dhe shkrime, do të jetë publike”. Por ai i kërkoi Kraja dokumente? “Jo, i është dhënë një kontakt i konsorciumit ndërkombëtar të gazetarëve investigativë” tha ai.

Por si i kalojnë kompanitë, paratë në offshore? Gazetari investigativ shpjegoi se “Kompania offshore është e regjistruar në një vend që mund të jetë parajsë fiskale ose të dhënat mbi pronësinë e saj nuk janë transparente. Një nga arsyet për regjistrimin në këto vende është norma e ulët e taksimit.

Nëse një politikan ndërton një kompani offshore, mund të blejë apartamente në Tiranë, mund të transferojë para në bankë apo të blejë aksione, pasi origjina e parave bëhet e pagjurmueshme, këto para trajtohen si të gjitha të tjerat në sistemin bankar” përfundoi ai.

Deri tani është zbuluar vetëm emri i njërit prej shqiptarëve me kompani në offshore, i cili është Vasil Kallupi (lexo këtu).

Dokumentet zbulojnë se një firmë e vogël konsulence e regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe një muaj më parë, kompania “AL Energy Transmission” e cila drejtohet nga biznesmeni shqiptar, Vasil Kallupi, ka marrë nga Energoinvest një shifër prej 3.6 milionë eurosh.

“Panora Papers” zbuloi se 330 zyrtarë publikë në të gjithë botën kanë lidhje me llogaritë offshore. Dokumentet e ekzaminuara tregojnë shtrirjen, në të cilën operacionet sekrete offshore kanë prekur politikat financiare globale.

Investigimi i publikuar më 3 tetor ka zbuluar, se 35 përqind e udhëheqësve të sotëm dhe të mëparshëm botëror, përfshirë edhe ish-kryeministrin Britanik Tony Blair, mbretin e Jordanisë dhe presidentin e Kenias, Uhuru Kenyatta, si edhe miliarderë të fuqishëm janë partnerë në kompani që shfrytëzojnë parajsat fiskale offshore./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!