Shqiptarët e bllokuar në Varshavë, MEPJ: I kthyem sot herët në mëngjes me charter

schedule08:57 - 16 Gusht, 2020

schedule 08:57 - 16 Gusht, 2020

Shqiptarët e bllokuar në aeroportin e Varshavës pasi Polonia vendosi të mbyllë kufijtë me vendin tonë janë kthyer në atdhe mëngjesin e sotëm me një avion charter.

Njoftimi është bërë nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e cila njofton se vendimi për mbyllje e kufijve ishte i papritur dhe menjëherë nisi puna për kthimin mbrapsht të shqiptarëve të bllokuar në Poloni.

“Njoftim lidhur me moslejimin e qytetarëve shqiptarë në Aeroportin e Varshavës

Në mënyrë të papritur, Polonia ka ndryshuar regjimin e hyrjes së qytetarëve shqiptarë në Poloni.

Për shkak të këtij ndryshimi, ditën e shtunë, më 15 gusht 2020, qytetarë shqiptarë, të cilët u nisën në udhëtim drejt aeroportit të Varshavës me linjën ajrore të Kompanisë Polake, LOT Airline, nuk janë lejuar, që të hyjnë në Poloni.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Poloni në komunikim të ngushtë me disa shtetas të bllokuar në aeroportin e Varshavës, u vu menjëherë në komunikim me autoritetet vendase dhe me drejtuesit e kompanisë ajrore LOT Airline, duke arritur të bëhej e mundur vendosja e një avioni charter në dispozicion të shtetasve, për t’i rikthyer në atdhe, sot, e diel, 16 gusht 2020, herët në mëngjes”, njofton MEPJ.

Qytetarët shqiptarë mbetën të bllokuar, duke kaluar natën në Aeroportin e Varshavës. TIA ka sqaruar edhe kategoritë që lejohen të udhëtojnë drejt Polonisë pas vendimit për të mbyllur kufijtë me Shqipërinë./abcnews.al