Shqiptarët e bëjnë “sefte” në Turqi, Muçi e Rashica fitojnë Kupën e Turqisë

schedule22:36 - 23 Maj, 2024

schedule 22:36 - 23 Maj, 2024

Iu deshën vetëm pak muaj për të siguruar trofeun e parë. “Fantazisti” i Kombëtares sonë, Ernest Muçi, i shoqëruar nga “ylli” i “Dardanëve” Milot Rashica ia arritën të “mbërthenin” Kupën e Turqisë, në një duel tejet të luftuar, ndaj Trabzonspor, në “mitikun” e “Ataturk”, ku dhuruan spektakël një ndeshje 5-golëshe.

Në stadiumin “Ataturk” ishte Trabzonspori i Enis Bardhit që gjeti golin e avantazhit me anë të Onuachu në minutën e 13’, ndërsa “Shqiponjat e Zeza” barazuan me anë të Ghezzal në shtesën e pjesës së parë, pas një 11-metërshi të ekzekutuar mrekullisht për të shkuar me rezultatin 1-1 në dhomat e zhveshjes.

Pjesa e dytë ishte edhe më emocionuese, me “Bardhezinjtë”, që gjetën golin e avantazhit me Ucan në minutën e 54′-t, ndërsa fundi u bë edhe më interesant, pasi fillimisht Pepe barazoi shifrat për Trabzonspor në minutën e 89’, por kur dukej se finalja do t’i drejtohej shtesës, pasi vetëm pak minuta më vonë Al Musrati shënoi një gol mjaft të bukur nga distanca dhe i dha suksesin “gjigantëve” të Stambollit.

Vlen të theksohet se Ernest Muçi ishte titullar te Besiktas dhe u zëvendësua vetëm në shtesë, ndërsa Rashica erdhi nga stoli për të luajtur disa minuta. Kështu “Shqiponjat e Zeza”, të Besiktas e fitojnë këtë trofe për herë të 11-të në histori, të dytë në radhë, pas rivalëve të Galatasaray, me 18 suksese. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!