Shqiptarët ngjyrosën kuqezi zemrat e qyteteve dhe rrugët kryesore të vendit. Nga veriu në jug, në çdo cep të Shqipërisë, ndeshja që përfundoi me fitoren e Kombëtares sonë ngriti peshë zemrat e shqiptarëve.
Në Vlorën e Sokol Kushtes, qindra tifozë dolën në rrugë për të festuar. Euforia e fitores, fishekzjarrët dhe këngët patriotike e mbajtën gjallë festën deri në orët e vona të natës.
Atmosferë e ngjashme u shënua edhe në Shkodër, ku rrugët u mbushën me makina të stolisura me flamuj kombëtarë, ndërsa brohoritjet kuqezi jehuan në çdo lagje të qytetit.
Fieri u përfshi nga të njëjtat emocione.
Qytetarët brohoritën emrat e lojtarëve të Kombëtares, duke festuar me krenari fitoren historike në Leskovac të Serbisë.
Elbasani, Lezha dhe Durrësi u veshën gjithashtu me ngjyrat kuqezi, ndërsa valët e entuziazmit përfshinë edhe Gjirokastrën dhe Korçën, ku flamujt valëviteshin në çdo shesh e rrugicë.
Rrugët e Shqipërisë u mbushën me energji, emocione dhe krenari, ndjesi që vetëm futbolli di t’i sjellë.

