Shqipja në rrezik/ Studiuesit: Gjuhët e huaja po dëmtojnë shqipen

schedule15:39 - 30 Shtator, 2024

schedule 15:39 - 30 Shtator, 2024

Gjuhët e huaja po rrezikojnë shqipen. Shqetësimi ngrihet nga  përkthyes në ditën botërore të përkthimit.

“Edhe gjestet i bëjmë si amerikanët,  edhe pasthirrma që del nga shpirti, kur përplasesh me njëri dikur thoje oh, u më fal tani thuhet ‘ups’ se kështu i thonë amerikanët. Nuk lakohen emrat, është fatkeqësi.”

“’Coffe bridge’ thotë ai, nuk i pëlqen të thotë kafja pranë urës,  po e ndotin dhe përmbytin me fjalë të huaja të panevojshme.”

“Duhet të jemi pak me atdhedashës që ta ruajmë gjuhën shqipe, në këtë peisazh të marrëdhënieve  ndërkombëtare, të lëvizshmërisë më të madhe”

Shkrimtari dhe përkthyesi  Edmond Tupja thotë se  përpara tyre  del një detyrë.

“Të mbrojë gjuhën shqipe sepse mediat po e globalizojnë gjuhën shqipe, po e amerikanizojnë. Përkthyesi ka kohë të kërkojë në fjalor të pyesi për fjalën shqipe. Fjala intrigant në fjalor është ngatërrestar, por në fjalor ke dhe një fjalë akoma ‘ndezakeq’, që të ndez për keq, duhen hapur fjalorët, se dëgjoj se gjuha shqipe nuk është e pasur, është shumë e pasur. “

Të shkruarit mban gjallë gjuhën dhe e përcjellë atë ndër breza. Një tekst i përkthyer keq lë gjurmë. Megjithkëtë pedagogë të gjuhëve të huaja thonë se anglishten e vërejnë edhe në dokumente që duhet të ishin shkruar shqip. Sipas tyre ka ardhur kohë që autoritetet të ndërmarrin politika për mbrojtjen e gjuhës.

“Një mbizotërim i madh i anglishtes në dokumenta që marrim. Mendoj se është shumë e nevojshme të krijohen politika të ruajtjes së gjuhës shqipe dhe këto duhet të jenë institucionale dhe më pas  universitete e  studentët të shkojnë pas tyre.”

“Ne kemi kërkuar disa herë, që të dalë një ligj për ndalimin e përdorimit të emërtimeve të huaja në lokale apo në media” 

Prirja për ta përmbytur me fjalë të huaja shqipen po vihet re rëndomë  vitet e fundit. Kjo ndikuar dhe nga teknologjia.  Gjuhëtar e përkthyes mbrojtjen e gjuhës po e konsiderojnë urgjencë të kohës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!