Gjergj Methoxha, drejtor i politikave të mbrojtjes në një intervistë në “Tirana Live” në ABC News foli për modernizimin e Forcave të Armatosura, buxhetin për mbrojtjen si edhe rëndësinë e Aleancës për sigurinë.
Gjatë kësaj interviste, Methoxha u shpreh se Shqipëria tashmë është prej 15 vitesh anëtare e NATO-s, ndërsa bëri me dije se Aleanca ka në plan prodhimin e armëve dhe fuqizimin e industrisë ushtarake.
“Aleanca është në një transformim të përhershëm dhe kjo gjë vlen edhe për Shqipërinë. Ne përkujtojmë 15 vite në Aleancë por angazhimi ka nisur shumë më herët. Të qenit vend partner na hapi rrugën për të kontribuuar në paqe dhe siguri. Ne tani ndodhemi në 8 misione në mbarë botë. Kontributi që kemi në Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë është gjithashtu i rëndësishëm. Procesi krah Aleancës të jep siguri për të ardhmen”, u shpreh ai.
Ndërsa i përket inaugurimit të bazës së Kuçovë e vlerësoi si një lajm shumë të mirë, duke thënë se Shqipëria qëndron si spirancë në Ballkanin Perëndimor.
“Baza ajrore e Kuçovës është nj gur tjetër i rëndësishëm dhe kjo është vetëm pikënisje sepse shpresojmë edhe disa ngjarje të tjera në të ardhmen”, tha ai, duke shtuar se beson që Shqipëria të marrë një lajm pozitiv për të pritur Samitin e NATO-s në 2027.
/abcnews.al/